Themelohet Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione
Prishtinë, 18 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në Konferencën Ministrore të Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacion, e cila është mbajtur sot në Split të Kroacisë.
Gjatë kësaj Konference, ministrat e Arsimit dhe të Shkencës të Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacion.
Ministri Bajrami në fjalën e tij të mbajtur në Konferencë, theksoi se bashkëpunimi në sferën e hulumtimit dhe inovacionit është një domosdoshmëri e kohës për vendet tona të regjionit dhe është një mundësi shumë e mirë që vendet tona të bashkuara të ecin rrugës së integrimeve evropiane.
Hulumtimi dhe inovacioni sot janë dy mundësi të mira për lidhjen e shteteve tona, sepse të gjitha shtet tona kanë nevojë për zhvillim ekonomik, për ngritjen e standardeve evropiane me qëllim që të përshpejtojnë rrugën e integrimit evropian.
Ministri Bajrami tha themelimi i kësaj qendre është një mundësi shumë e mirë për partneritetin e hulumtuesve tanë dhe si rezultat edhe për zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Ndërsa, ministri theksoi se kemi nevojë si shtete të reja të ngrisim standardin e hulumtimit shkencor dhe inovacionit.
Sa i përmet Kosovës, ministri Bajrami tha se po punohet në tri drejtime që shkenca dhe inovacioni të kenë respektin e duhur: reforma e legjislacionit, sidomos me ligjin për arsimin e lartë; lidhja e arsimit me ekonominë, për të cilën po rishikohet tërë sistemi arsimor; hapja e rrugës për hulumtuesit e rinj, që një mundësi e mirë është edhe kjo Qendër.
Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione do të jetë një organizatë ndërkombëtare, e pavarur, jo-fitimprurëse dhe në pronësi të palëve nënshkruese të marrëveshjes rajonale.
Kjo qendër do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke përmirësuar klimën e Ballkanit Perëndimor për hulumtim dhe inovacion. Për më tepër, kjo Qendër do të promovojë mobilitetin e hulumtueseve të rinj dhe kandidatëve për doktoratë në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe mes rajonit dhe vendeve tjera.
Themelimi i kësaj Qendre dhe asistenca teknike rajonale për të është e paraparë edhe në kuadër të Strategjisë Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Shkencë dhe Hulumtim në të cilën është e përfshirë edhe Kosova.
Është paraparë që Bashkimi Evropian të mbeshtesë këtë qendër me 200 milionë euro, fond në të cilin do të mund të përfitojnë përmes projekteve edhe hulumtuesit kosovarë.