Themelohet Kuvendi për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari
Mynih, 24 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami së bashku me ministrin e Diasporës, Valon Murati, kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Mynih të Gjermanisë.
Gjatë kësaj vizite, të dy ministrat kanë marrë pjesë në Kuvendin Themelues për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, i cili është organizuar nga Këshilli Nismëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, në bashkëpunim me konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Mynih, Ministrinë e Diasporës dhe me shoqatat, bizneset, mësuesit dhe prindërit që jetojnë në Bavari.
Me këtë rast, ministri Bajrami premtoi mbështetjen e vazhdueshme të MAShT për arsimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë me tekste shkollore, kurrikula, si dhe trajnime për mësimdhënës.
Ministri vlerësoi punën dhe angazhimet e Këshillit, e po ashtu edhe të mësimdhënësve dhe prindërve që po bëjnë punë të rëndësishme për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Duke folur për ndihmën që mund të japë Kosova në këtë drejtim, ndër të tjera, ministri Bajrami përmendi organizimin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë, pra Seminarin tradicional për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, ku e ftoi mësimdhënësit që të jetë pjesëmarrës në seminarin e radhës, i cili këtë herë do të mbahet në Gjakovë.
Gjatë punës së Kuvendit Themelues për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, u diskutua për procesin e hapjes së shkollave shqipe, projekt që ka për qëllim ruajtjen e kulturës, të gjuhës dhe të identitetit kombëtar për fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë.