Thaçi zotohet për zbritjen e pagesave për të gjithë studentët
Prishtinë, 8 prill - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi Mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku u njoh me kushtet, të cilat i ofron kjo mensë. Me këtë rast kryeministri Thaçi drekoi së bashku me studentët.
Pas vizitës, Kryeministri Thaçi u deklarua para mediave se shpreh zotimin për vendimin e marrë për zbritjen e pagesave për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës dhe gjithë Republikës së Kosovës, për 50 për qind për semestra, për konvikte dhe për mensë.
Kryeministri Thaçi theksoi se kjo zbritje vlen edhe për studime master, bachelor, si dhe kandidatët për doktoratë.
E theksoj edhe njëherë gatishmërinë tonë dhe, do ta respektojmë në përpikëri vendimin, që të gjithë maturantët aktualë apo brucoshët e ardhshëm, të fillojnë studimet gratis, ndërsa çdo familje që ka më tepër se një studentë në universitet, do të paguaj vetëm për njërin, u shpreh kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi theksoi se do të vazhdojmë edhe për ndërtimin e konvikteve të reja dhe se do ta rrisim numrin e bursistëve nga 1000 në 1500.