Thaçi priti rektorin e Universiteti të Prizrenit, Ramë Vataj
Prishtinë, 3 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim rektorin e Universitetit të Prizrenit Ukshin Hoti, Ramë Vataj, i cili ishte shoqëruar nga anëtarë të Këshillit Drejtues dhe dekanë të fakulteteve në kuadër të këtij institucioni të lartë arsimor.
Presidenti Thaçi përgëzoi rektorin Vataj për angazhimin rreth konsolidimit të këtij universiteti, duke theksuar rëndësinë për hapat e ndërmarrë në thellimin e reformave të tij.
Është mesazhi më i mirë që Universiteti i Prizrenit Ukshin Hoti po shënon suksese në fillesat e funksionimit të tij. Natyrisht se duhet të implementohen të gjitha kriteret, standardet që kërkohen edhe nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, ka thënë presidenti Thaçi, i cili i përgëzoi drejtuesit e UPZ-së për faktin që në këtë universitetit ka afro 13,000 studentë, me një staf akademik të nivelit rajonal, por edhe më gjerë.
I pari i vendit e mirëpriti zhvillimin e mësimit në tri gjuhë në këtë universitet, gjë që, sipas tij, është një shembull i mirë i Kosovës së re, Kosovës multietnike, Kosovës evropiane.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, në emër të UPZ-së, përgëzoi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së kreut të vendit. Jemi i vetmi universitet në Kosovë që ofron program edhe në gjuhët turke dhe boshnjake. Po punojmë në profilizimin e programeve dhe të kurrikulës, ka thënë rektori i UPZ-së Vataj, i cili potencoi përkushtimin për forcimin e mëtejmë të kuadrit mësimdhënës në të gjitha nivelet e studimeve.
Punoni sa ma shumë për ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve të universitetit, për sa më shumë hulumtime shkencore, për diversifikimin e kurrikulës në institucionin tuaj. Keni bërë punë solide, por natyrisht se ka hapësirë për tu bërë edhe më shumë, theksoi presidenti Thaçi, duke shtuar se UPZ do të ketë mbështetjen e vazhdueshme nga Zyra e Presidentit dhe institucionet e tjera relevante.