Thaçi i ofron përkrahje rektorit
Prishtinë, 19 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, bashkë me dekanët e sapozgjedhur.
Kam kënaqësinë tju takoj dhe tju uroj për zgjedhjen dhe marrjen e detyrës, tju përgëzoj për punën që po bëni në universitet dhe tju shpreh përkrahjen time, ka thënë presidenti Thaçi.
Në emër të përfaqësuesve të universitetit, rektori Dema e falënderoi presidentin Thaçi për takimin e shpejtë pas marrjes së detyrës, duke thënë se është shumë e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë, që universiteti të zë vend meritor në agjendën institucionale.
Kjo tregon që universitetin e keni lart në agjendë, u shpreh rektori Dema.
Gjithashtu, rektori Dema tregoi se dekanët dhe ai synojnë të avancojnë mësimdhënien, të shtojnë transparencën dhe llogaridhënien, si dhe të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtar të universitetit.
Pjesë e takimit ishte edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili, duke rikonfirmuar përkrahjen për universitetin, theksoi se ky institucion tani ka hyrë në një fazë të re të stabilizimit dhe të zhvillimit.
Presidenti Thaçi shprehu përkrahjen për vazhdimin e reformave në Universitetin e Prishtinës, duke shtuar se me punën e udhëheqësve të universitetit mund të bëhen ndryshime të mëdha.