Tempus hapë oferta të reja për arsimin e lartë
Prishtinë, 13 nëntor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me programin Tempus ka organizuar një punëtori informative ku janë prezantuar të arriturat e këtij programi gjatë periudhës njëvjeçare si dhe janë hapë ofertat për aplikacione të reja.
Tempus, është program i Bashkimit Evropian, i cili mbështetë modernizimin e Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit universitar.
Drita Kadriu , këshilltare e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, tha se programi Tempus është ndër programet më atraktive që ndihmon arsimin e lartë në Kosovë. Me këtë program synohet një hartë më e shndritshme e arsimit në Evropë sot dhe në të ardhmen, andaj i inkurajoi institucionet e arsimit të lartë që të konkurrojnë dhe të përfitojnë sa më shumë nga këto programe.
Sophi Beaumont , përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se programi Tempus, është një mundësi e mirë për arsimin e Lartë në Kosovë që të jetë më i përafërt me ato të vendeve të zhvilluara të Evropës dhe më gjerë.
Ndërsa, Kimete Canaj, koordinatore e Tempus-it në Kosovë njoftoi se nga programi i vitit të kaluar kanë përfituar Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit dhe disa kolegje private të arsimit të lartë, ndërsa sivjet presim të jetë një konkurrencë më e madhe, duke marrë parasysh vlerën dhe ofertat e programit, i cili sivjet kapë shumën 2. 56 milion euro.
Ndryshe programi Tempus , realizohet në koordinim të ngushtë me programin Erazmus Mundus, i cili ofron bursa për studentë të vendeve në zhvillim duke ju mundësuar atyre të marrin pjesë në programin Master dhe programet e Doktoratës në BE.
Konkurrimi, përkatësisht pjesëmarrja në këto programe , hapë mundësi të reja për Institucione të Arsimit të Lartë në Kosovë .