Të ndërpritet praktika e grumbullimit të hollave nga nxënësit
Prizren, 15 korrik - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë muajve të kaluar ka shqyrtuar çështjen e pagesave në të holla që kërkohen nga nxënësit në shkollat publike të Prizrenit.
Gjatë muajve të kaluar EC Ma Ndryshe ka pranuar ankesa individuale nga prindërit e nxënësve në lidhje me mjetet që kërkohen nga menaxhmentet e shkollave publike të Prizrenit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera shtesë.
Duke paraqitur shqetësimin për përhapjen e kësaj dukurie, prindërit janë ankuar edhe për mungesë të transparencës në menaxhimin dhe shpenzimin e këtyre mjeteve shtesë.
EC Ma Ndryshe përmes mekanizmit të qasjes në dokumentet zyrtare ka kërkuar informata nga Drejtoria Komunale për Arsim rreth kësaj praktike.
DKA-ja e ka arsyetuar atë me ekzistimin e Udhëzimit Administrativ nr. 28/2012 të datës 31.10.2012, që ka të bëjë me Këshillin e Prindërve dhe dokumentin ia ka bashkëngjitur përgjigjes së saj.
UA 28/2012 që përkufizon themelimin dhe funksionimin e Këshillit të Prindërve, në nenin 6, paragrafi 11 parasheh që Këshilli i Prindërve të mbledh fonde për projekte të caktuara (nga bashkësia dhe donatorët).
EC Ma Ndryshe konsideron se sigurimi fizik, mirëmbajtja, sikurse edhe riparimi i sanitarive hyjnë në kategorinë e shërbimeve dhe jo të projekteve, të cilat duhet të ofrohen nga shkollat e institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar.
Ashtu si e parasheh UA përkatës mjetet nga nxënësit respektivisht prindërit mund të grumbullohen, por për realizimin e projekteve që do të shkonin në dobi të avancimit të mësimnxënies dhe mësimdhënies në shkollat publike.
Përderisa praktika e grumbullimit të hollave për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera të ngjashme vazhdon nga viti në vit, menaxhmentet e shkollave, këshillat e prindërve por edhe vet DKA-ja ende nuk e kanë zhvilluar ndonjë fushatë serioze për vetëdijesimin apo tejkalimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen shkollat, që po ashtu parashihet në UA 28/2012.
EC Ma Ndryshe kundërshton grumbullimin e të hollave nga nxënësit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, etj., në shkollat publike të Prizrenit duke u bazuar në argumentin se prindërit e tyre janë taksapagues dhe se të njëjtit detyrohen që shërbimin e njëjtë ta paguajnë dy herë. Prandaj kërkon nga mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse që ti japin fund kësaj praktike.
Gjithashtu i bën thirrje DKA-së dhe kryetarit të komunës së Prizrenit që të shfrytëzojnë pushimet verore dhe të vendosin dialog të afërt me MASHT-in, në mënyrë që lëshimet paraprake gjatë ndarjes së buxhetit për DKA-në e Prizrenit, të mos përsëriten më, por të ketë planifikim shumë preciz të pozicioneve buxhetore për rojet e natës, personelin ndihmës, pedagogët, psikologët, etj. në shkollat publike të komunës së Prizrenit.
Në fund, EC Ma Ndryshe rekomandon shkollat, këshillat e prindërve dhe DKA-në që praktika e mbledhjes së fondeve për projekte të caktuara nga bashkësia dhe donatorët të përcillet me nivel të duhur të transparencës, duke i publikuar të dhënat për projektin, kohëzgjatjen, mjetet e grumbulluara dhe të shpenzuara dhe detajet tjera në tabelat e shpalljeve në shkolla, në ueb faqen zyrtare të komunës dhe në mjetet lokale të informimit.