25 Dhjetor 2024

Të bëhet më shumë për nxënësit me aftësi të kufizuar

Prishtinë, 3 dhjetor - Avokati i Popullit Sami Kurteshi e ka vizituar sot shkollën fillore dhe të mesme të ulët në Prishtinë “Model”, për t’u njohur më për së afërmi me kushtet që i ofron ky institucion arsimor për nxënësit me nevoja të veçanta.

Kurteshi këtë vizitë e ka bërë në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, prej ku edhe ka porositur që të gjitha shkollat ta kenë të njëjtin nivel sa i përket kushteve infrastrukturore.

“Për mua ishte vizita e parë në këtë shkollë dhe qëllimi ishte me pa sot, meqë është Dita e Personave me Aftësi të Kufizuara, se çfarë mundësish kanë dhe sa i përfshin shkolla këta fëmijë. Ne pamë në mënyrë konkrete nëpër klasë edhe cilat janë mundësitë. Ky është qëllimi i parë. Qëllimi i dytë është vërtetë me pa çka është e mundur në Kosovë të bëhet dhe në të vërtetë nuk është vetëm e mundur por çka është obligim i shoqërisë dhe i shtetit të bëjnë për fëmijët. Dhe ky është obligim, kjo nuk është vetëm një dëshirë që ne mund ta kemi e parealizueshme por kjo është e mundshme, e realizueshme dhe e obligueshme me ligj. Dhe unë mendoj se para se gjithave shkollat tona duhet të duken kështu dhe kurrqysh ndryshe”, tha ai.

Mirëpo, i pyetur se nëse Institucioni i Avokatit të Popullit mund të bëjë më shumë për këtë kategori të shoqërisë apo vetëm t’i vizitoj në ditën ndërkombëtare të tyre, avokati Kurteshi e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se Avokati as fizikisht nuk ka mundësi që t’i vizitoj të gjitha shkollat.

“Kjo nuk do të thotë ashtu. Në të vërtetë këtë shkollë e kanë vizituar bashkëpunëtorët tanë me qenë se drejtori e di pak më mirë, e kanë vizituar edhe pak më herët, nuk e di a një herë, a dy herë, a tri, nuk e di se unë nuk mund t’i përcjell krejt bashkëpunëtorët sa herë i vizitojnë shkollat, por e di që ka qenë propozim i tyre për të ardhur këtu dhe për të parë diçka që është në Kosovë, që është ndërtuar në Kosovë dhe që nuk e kemi gjithkund. Kjo është e vetmja shkollë model. Unë mendoj se secili prej nesh e ka obligim”, ka deklaruar ai.

Drejtori i shkollës “Model” Liridon Maliqi tha se është i nderuar që e ka pritur Avokatin e Popullit.

“Sot ishim të nderuar që e kishim prezent Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës për t’i vizituar më për së afërmi nxënësit e shkollës sonë. Por, nuk është hera e parë që vjen Ombudspersoni në shkollën tonë, kemi në vazhdimësi kontakte me të gjithë avokatët e këtij institucioni të cilët brengosen për çështjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të tjerë”, ka deklaruar ai.

Shkolla “Model” i ka 8 nxënës me nevoja të veçanta prej gjithsej 671 nxënësve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)