SwissContact ka pasur ndikim në arsimin dhe aftësimin profesional
Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së misionit të organizatës zvicerane Swisscontact në Përkrahje të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë.
Për 13 vite, kjo organizatë i ka përkrahur shkollat e mesme profesionale në gjithë Kosovën me trajnime profesionale për mësimdhënësit, pajisje për shkollat, dhe praktikë në punë për nxënësit.
Me këtë rast, ministri Buja falenderoi shtetin zviceran që e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha sferat e jetës, e sidomos në arsim. Më e dukshmja dhe që ka lënë gjurmë është ndihma në sferën e arsimit, që gjatë këtyre viteve kalon shumë prej 8 milion euro, tha ministri Buja.
Ministri i Arsimit tha se ndikimi i organizatës SwissContact në arsim, e në arsimin profesional në veçanti, ka qenë diçka që nuk mund të krahasohet.
Por, unë besoj që sot po përfundon një projekt dhe do të vazhdojë ndonjë tjetër, sepse Zvicra nuk do ta lë vetëm me kaq. E dimë të gjithë se cili ka qenë ndikimi i këtyre përpjekjeve, përgatitjeve dhe investimeve edhe në sfondin teknik, edhe në atë profesional dhe të përgatitjes së nxënësve për të qenë të gatshëm për të shkuar më tutje në profesionin e tyre.
Ministri Buja theksoi edhe faktin se mosha mesatare e popullit të Kosovës është më e re se e të gjithë popujve të Evropës dhe më gjerë.
Kjo është pasuri e jona, por nëse nuk dimë ta menaxhojmë mirë, ta përgatisim mirë për jetën në vazhdimësi, do të na jetë problem jo i vogël. Për të mos qenë problem, por për të qenë të përgatitur për sfidat e profesionit, të kohës dhe të jetës, SwissContact ka pasur ndikim shumë të madh, gjë për të cilën u jemi shumë falenderues, tha ai.
Ndërsa, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang përmendi investimet që janë bërë nga shteti i saj në Kosovë. Ajo tha se papunësia e të rinjve pengon në zhvillimin ekonomik të Kosovës, prandaj Zvicra ka ndihmuar në orjentimin e të rinjve kah tregu i punës.
Znj. Marty Lang tha se Zvicra do të vazhdojë ta promovojë tregun e punës, në mënyrë që të rriten mundësitë për punësimin e të rinjve.
Ndërsa, Florian Meister, përfaqësues i SwissContac-it, foli për projektin dhe punën që është bërë në disa faza të ndihmës në aspekte të ndryshme që nga nëntori i vitit 2000 prej kur ka filluar.