Suedia vazhdon të mbështesë implementimin e PSAK
Prishtinë, 4 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Ramë Buja, priti znj. Ingrid Johansson, e ngarkuar me punë në ambasadën e Suedisë dhe znj. Maria Melbing, udhëheqëse e projektit SIDA për Kosovë dhe znj. Susanne Mattsson, menaxhere e programit për sektorin e arsimit.
Ministri Buja dhe delegacioni suedez diskutuan për aktivitetet zhvillimore që do ti ndërmarrë SIDA në sektorin e arsimit si dhe Strategjinë Suedeze të Zhvillimit që planifikohet të përpilohet dhe të realizohet gjatë viteve në vijim, si dhe për Fondin e Përbashkët.
Ministri Buja ka falënderuar përfaqësuesit suedez për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë proceseve arsimore në Kosovë përmes SIDA-s, në realizim të Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK 2012/16).
Ministri Buja u shpreh i kënaqur për krijimin e Fondit të Përbashkët, përmes të cilit do të vazhdojë ndihma në qasjen tërësektoiriale, ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Bashkëpunimi i ndërsjellë sigurisht që do të jetë edhe më i frytshëm në të ardhmen, ndërsa MAShT me kapacitet që ka do të bashkëpunojë ngushtë që kjo të bëhet sa më mirë, tha ministri Buja.
Znj. Johansson bëri të ditur se Qeveria suedeze ka vendosur të përgadise Strategji te re Zhvillimore për rajonin, e cila do të zgjasë 7 vite dhe se janë këshilluar nga Qeveria përkatëse se si të implementohet IPA2 për Kosovën.
Suedia do të vazhdoje të mbetet këtu që të ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve Evropiane, tha znj. Johansson.
Në këtë takim u fol edhe për përgatitjet që po bëhen rreth konferencës për Rishikimin e Përbashkët Vjetor (RPV), nga e cila do të kuptohet më saktë se cilat do të ishin objektivat dhe prioritetet e MAShT në aspektin e realizimit të PSAK-ut dhe cili do të ishte angazhimi i SIDA-s në këtë aspekt.