Suedia shembull i organizimit të mësimit të gjuhës shqipe
Prishtinë, 8 prill - Sot ministri Murati me bashkëpunëtorë priti nxënësit dhe mësuesit shqiptarë të 5 shkollave të mësimit plotësues në Suedi. Nxënësit, të shoqëruar nga mësuesit e mësimit plotësues, kishin ardhur për një vizitë-ekskursion mësimor në Kosovë - Shqipëri.
Ky është ekskursioni i tretë me nxënësit nga Suedia, i organizuar dhe i mbështetur nga Ministria e Diasporës.
Në këtë takim me nxënësit, ministri tha se ka kënaqësinë që takohet me një pjesë të atdheut që ka dhënë kontribut të madh për ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor, si dhe për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe.
Ndër të tjera, ministri Murati i njohu mysafirët me marrëveshjen Kosovë Shqipëri për organizimin e përbashkët të mësimit plotësues në diasporë, për programe kulturore të përbashkëta, në mënyrë që para të tjerëve të paraqiten vlerat më të mira dhe më cilësore të popullit tonë.
Ministri Murati theksoi faktin se Suedia është një ndër shembujt më të mirë të organizimit të mësimit të gjuhëve të komuniteteve, në këtë kuadër edhe të gjuhës shqipe, si dhe të integrimit të komuniteteve në përgjithësi.
Ndërkaq, mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të Suedisë e falënderuan MeD-në për organizimin e këtij ekskursioni. Gjithashtu, falënderuan për librat e dërguar për mësimin plotësues, duke thënë se temat që kanë librat përshtaten shumë me ato suedeze dhe se ndihma që jepet nga MeD-ja me libra është një shembull edhe për komunitetet që vijnë nga gjuhët e tjera.
Nxënësit me mësuesit e tyre do ta vazhdojnë ekskursionin edhe në Shqipëri.