Studentët protestojnë në mbrojtje të rektorit Gashi
Prishtinë, 4 shkurt - Parlamentit Studentor, mbështetur nga të gjitha organizatat studentore, pozitë, por edhe opozitë, përmes një aksioni simbolik kundër paralizimit të punës institucionale dhe influencës politike në Universitetin e PrishtinësHasan Prishtina, nga një grup studentësh me prapavijë politike, kanë apeluar që ti ndalojnë protestat përmes të cilave po bëhet bllokimi i Rektoratit të UP-së.
Rreth 500 student të cilit ishin prezent në këtë aksion simbolik para zyrave të Parlamentit Studentor, pranë Fakultetit Filologjik, mbanin në duar mbishkrime, si; Politika nuk hiqet me politikë, Studenti flet vet, jo me direktiva, Lufto në Kuvend, jo në Universitet, Mos na seroni anarkinë,Stop anarkisë, e të tjera, duke kërkuar nga kolegët student protestues që ta ndalin bllokimin e rektoratit.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Minir Begaj, para studentëve tha se problemi duhet të zgjidhet përmes rrugëve institucionale, duke bërë thirrje që të hetohen të gjitha avancimet dhe gradimet shkencore që janë bërë që nga viti 1991 e deri më sot.
Nuk do të amnistohet askush, as rektori e as ministri, as profesorët e as asistentët, apo kushdo tjetër që ka manipuluar me avancime të tilla akademike. Në kemi kërkuar dhe kërkojmë që zgjidhja të jetë përmes rrugëve institucionale, ndryshimin e Statutit të UP-së, ndërprerjen e kontratave të dyfishta për stafin akademik, dhe kërkesat e tjera të cilat shqetësojnë komunitetin studentor, tha kryetari Begaj.
Kurse Flamur Spahiu nga opozita studentore u shpreh se, nuk është reale të bllokohet rektorati në kohën kur studentët kërkojnë shërbimet e tyre në atë institucion.
Ne do të gjejmë mënyra të ndryshme për t`iu kundërvënë çdo aksioni që ka për qëllim bllokimin e jetës dhe punës në Universitetin e Prishtinës, tha Spahiu.
Ndërkaq, nënkryetari i Parlamentit të Studentëve, Rilind Berisha, bëri thirrje për ndalim të protestave, të cilat kryesisht janë të orkestruara nga interesa dhe grupe politike, me pjesëmarrje të aktivistëve të partive politike, nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të kolegjeve private.