Studentët e UP-së marrin pjesë në Harvard National Model United Nations
Prishtinë, 9 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, priti në takim një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës, të cilët nga data 11 deri më 22 shkurt do të jenë pjesëmarrës në Harvard National Model United Nations, që është një garë simulimi e punës së OKB-së dhe organizohet nga Universiteti i Harvardit (SHBA).
Në këtë ngjarje do të jenë pjesëmarrës mbi 2 mijë studentë nga më shumë se 100 universitete të rreth 80 vendeve, që janë anëtare të OKB-së.
Me këtë rast, ministri Bajrami tha se është krenar për përkushtimin e këtyre studentëve dhe u shreh i bindur se do të tregojnë sukses, do të dëshmojnë se vendi ynë ka talentë të rinj, intelegjentë dhe me shkathtësi të larta profesionale.
Për mua ka qenë kënaqësi si ministër i Arsimit, tju mbështes në këtë rrugëtim tuajin, me të cilin ju do ta rrisni krenarinë e Kosovës. Jam i sigurt që ju atje do ta përfaqësoni Universitetin e Prishtinës, por edhe Kosovën në mënyrë dinjitoze , tha ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami, theksoi se do të punojë shumë në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, ngritjen e kualitetit, në futjen e konkurrencës midis universiteteve, në mënyrë që universitetet tona të maten për cilësi dhe kualitet.
Ndërsa Luz Balaj, profesor në Fakultetitn Juridik të UP-së, i cili do të shoqërojë studentët në këtë konferencë, falënderoi Ambasadën Amerikane, Universitetin e Prishtinës dhe MAShT-in, të cilët kanë mbështur edhe financiarisht pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës në Harvard. Në bazë të përvojave që kemi, kjo është konferenca më e madhe studentore në botë, tha z. Balaj.
Edhe studentët falënderuan ministrin Bajrami për mbështetjen që po iu jep atyre dhe premtuan angazhim maksimal gjatë pjesëmarrjes në këtë garë. Ndërsa, ministri Bajrami simbolikisht ua dhuroi një flamur të Kosovës.