Studentët e UP protestojnë për sezonin e provimeve

Prishtinë, 13 tetor - Dhjetëra studentë kanë bllokuar të martën në hyrjen e Rektoratit të Universitet të Prishtinës, duke kërkuar mbajtjen e një sezoni provimesh në tetor.
Studentët kanë kërkuar që edhe kushti për vitin e dytë të jetë me më pak provime për të kaluar vitin.
Në emër të të rinjve ka folur kryetari i Parlamentit të studentëve, Rifat Krasiniqi, i cili fillimisht ka kërcënuar me përshkallëzim të protestës nëse nuk marrin përgjigje nga rektori deri në ora 16:00.
Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi rreth orës 13:00 ka përfunduar protesta pasi sipas organizatorëve, studentët deshën të ndiqnin leksionet.
Ata paralajmëruan protestë për ditën e mërkurë, duke thënë se nëse nuk marrin përgjigje për kërkesat e tyre, protestat e radhës do të jenë të dhunshme.