Studentët e Universitetit të Pejës vizitojnë Ministrinë e Financave
Prishtinë, 20 shkurt - Ministri Financave Avdullah Hoti dhe Zëvendësministri Agim Krasniqi priten sot në takim studentet e Universitetit Publik të Pejës Haxhi Zeka të degëve të Financave dhe Kontabilitetit, ku i informuan ata për zhvillimet dhe proceset nëpër të cilat po kalon Ministria e Financave.
Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti theksoi se Ministria e Financave si promotor i zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, duke u bazuar në Strategjinë Zhvillimore të Qeverisë së Kosovës ka për obligim të hartoj Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Kosovës, të krijoj Planin për borxhin e brendshëm dhe atë të jashtëm, si dhe të krijoj politika Fiskale të cilat e përmirësojnë klimën e të bërit biznes në Kosovë, por edhe rrisë të hyrat buxhetore në Buxhetin e Kosovës.
Ai gjithashtu i njoftoi studentet e Universitetit Haxhi Zeka për rrjedhën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, si dhe për anëtarësimin Kosovë në Institucionet Financiare Ndërkombëtare, ku theksoi se Kosova kohëve të fundit nga këto Institucione ka marrë vlerësime shumë te mira sa i përket krijimit të kushteve të të bërit biznes, por edhe për transparencën financiare.
Ndërsa, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi theksoi se Ministria e Financave shumë herë është e shtrënguar sa i përket ndarjeve buxhetore për Organizatat Buxhetore për shkak të mundësive të kufizuara buxhetore.
Ai gjithashtu bëri të ditur se kërkesat e organizatave buxhetore vetëm për këtë vit në total kanë qenë katër miliardë euro, ndërsa buxheti është planifikuar të jetë mbi 2 miliardë, kështu që ne si Ministri e Financave në bashkëpunim edhe me organizatat buxhetore kemi bërë harmonizimin e kërkesave të tyre ku prioritet iu është dhënë fushave me rëndësi të veçantë të këtyre organizatave buxhetore.
Ndërsa, studentet e Universitetit të Pejës Haxhi Zeka duke falënderuar Ministrin Hoti dhe Zëvendësministrin Krasniqi për pritjen theksuan se vizitat si kjo janë shumë të rëndësishme për ta, për shkak se ndikojnë në pasurimin e dijes së tyre rreth institucioneve të shtetit të Kosovës e në veçanti të Ministrisë së Financave, e cila mund të jetë një ndër vendet ku ata dëshirojnë të punojnë në të ardhmen.
Me këtë rast, studentët e Universitetit Haxhi Zeka në shenjë mirënjohje dhe falënderimi i ndanë Mirënjohje të veçantë ministrit Avdullah Hoti dhe zëvendësministrit Agim Krasniqi .
Gjatë kësaj vizite, Studentët e Universitetit Publik të Pejës Haxhi Zeka, të shoqëruar edhe nga zëvendësministri Agim Krasniqi, vizituan edhe stafin e Ministrisë së Financave, ku u njoftuan për së afërmi me punën dhe aktiviteteve të secilit departament në kuadër të kësaj Ministrisë së Financave.