Studentët e Riinvest konsulencë me kompanitë globale në Çeki
Shkruar nga Vlera Mati
Prishtinë, 31 korrik - Pas një bashkëpunimi intensiv midis Institutit Riinvest dhe Stafordshire University në kërkime shkencore dhe shkollim të ekspertëve në master dhe PhD ka tre vjet që në kuadër të Kolegjit Riinvest është krijuar Departamenti i Programeve të Staffordshire University nga Britania e Madhe, ku mësimi zhvillohet ekskluzivisht në anglisht me profesorë nga ky universitet, në dy programe bachelor dhe dy master (MBA) në fushën e menaxhimit të biznesit. Këta studentë marrin diplomë britanike nga ky universitet.
Në përfundim të studimeve të tyre në programin MBA (Master of Business Administration) në Menaxhment, së bashku me kolegët nga kampuset e tjera të Stafordshire University, 20 studentë që ndjekin studimet në departamentin pranë Kolegjit Riinvest kanë qëndruar për punë praktike në Pragë, në disa kompani të njohura e të mëdha globale si Toyota, Peugot etj., të cilat bëjnë biznes në Republikën Çeke.
Kjo vizitë unike për nga qasja dhe qëllimi është tradicionale dhe këtë herë u bë në kuadër të punës praktike nga lënda International Study Tour.
Më konkretisht ky udhëtim në Pragë ishte një detyrë për studentët, të cilët studiojnë ekonominë, për ta hulumtuar tregun në Republikën Çeke dhe për të nxjerrë përfundime se cilat janë përparësitë dhe mangësitë për të investuar në këtë treg, vend ky i cili dikur i takonte kampit komunist.
Pas vizitave të shumta në kompani të ndryshme prodhuese dhe shërbyese, si në: TPCA, Peugot, Toyota, studentët tanë u dalluan me punimet e tyre sidomos me përfundimet e nxjerra dhe vlerësimet e dhëna lidhur me përshtatshmërinë e tregut çek për investime.
Lidhur me këtë vizitë prof. Dr. Bujar Pira, i cili i printe grupit të studentëve të Riinvest-it, flet me admirim duke e cilësuar sidomos të veçantë përvojën që studentët tanë e morën në Pragë, mundësi kjo të cilën e fitojnë duke studiuar në këtë Departament të Staffordshire University pranë kolegjit Riinvest.
Përvoja ishte unike dhe konsideroj se impresionet nga atje ishin jo vetëm të mira, konstaton profesor Bujari, sepse studentët u njohën dhe shkëmbyen përvoja më për së afërmi me kolegët e tyre, të cilët studiojnë në Britani, por edhe panë nga afër dhe analizuan kushtet e një tregu prej të cilit Kosova mund të mësojë shumë.
Kjo ishte një eksperiencë e dorës së parë, se si të zbatohen në mënyrë efektive ato që kanë mësuar gjatë studimeve në këtë program, theksuan edhe studentët Artan Veseli dhe Enliat Shala, të cilët gjithashtu ishin në këtë vizitë.