Studentet e Juridikut të UP-së, të katërtat në botë
Prishtinë, 18 nëntor - Katër studente të Universitetit të Prishtinës i treguan botës aftësitë e tyre juridike, duke zënë vendin e katërt ndër 20 universitete dhe vendin e parë në oratori.
Kosovaret në garën ndërkombëtare, që është mbajtur në Varshavë, e ku për bazë ka pasur një draft-instrument ndërkombëtar që synon ta unifikojë legjislacionin vendës të shteteve anëtare të BE-së për çështje kontraktuale, kanë lënë prapa universitete me renome botërore, si universitetin amerikan të Texasit, atë të Shën Peterburgut, Universitetin shtetëror holandez e të tjerë.
Ekipi prej 4 studenteve, nën udhëheqjen e profesoreshës Luljeta Plakolli - Kasumi ndjehet krenar për suksesin e arritur, për të cilin janë përgatitur 8 muaj.
Studentja Arbëresha Zogiani, ndërkaq, është zgjedhur juristja me oratorinë më të mirë ndër dhjetëra studente që mbrojtën palët e tyre në gjuhën angleze, e që ishte gjuha e vetme e kësaj gare.
Si tregojnë studentet e UP-së, këtrë sukses nuk e kanë pasur aq lehtë ta arrijnë. Ato nuk janë liruar nga provimet, madje nuk kanë pasur as sallë ku të përgatiten për këtë garë.
Trajnuesja e grupit, Plakolli- Kasumi tregon se si kanë mësuar nëpër lokale kafenesh, por kjo nuk e bën të dyshojë për kapacitetet e studenteve të saj.
Ani pse Kosova nuk është anëtare e BE-së, me këtë pjesëmarrje dhe suksesin e treguar, ato kanë marrë të drejtën e pjesëmarrjes në grupet punuese të këtij drafti, i cili pritet të hyjë në fuqi në një të ardhme të afërt.