Studentët e Juridikut njoftohen me të drejtat e viktimave të krimit
Prishtinë, 23 tetor - Organizuar nga Forumi i Grave Gjyqtare dhe Prokurore, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, sot në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, për nderë të javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, e cila mbahet nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, me 23 Tetor 2014, u mbajt një ligjëratë me studentë të këtij fakulteti me temë Të drejtat e viktimave të krimit.
Në fillim të kësaj ligjërate, Dekani i Fakultetit Juridik, Bajram Uka, vlerësoi organizimin e kësaj ligjërate që kishte për qëllim njoftimin e studentëve me të drejtat e viktimave të krimit.
Në fjalën e sajë para studentëve, Prokurorja, njëherësh Zëvendës Kryesuese e Forumit të Grave , Gjyqtare dhe Prokurore, Laura Pula, foli për vizionin dhe qëllimin e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore si organizatore e kësaj ligjërate.
Ajo tha se avancimi dhe përparimi i rolit të femrave në sistemin e drejtësisë është objektiv i forumit.
Kultivimi i frymës së barazisë gjinore dhe ndër-etnike në sistemin e drejtësisë, fuqizimi i femrave në sistemin e drejtësisë, në veçanti të gjyqtareve dhe prokuroreve me një zë unik dhe vizion për të promovuar barazi dhe respekt për të gjithë, është vizioni dhe qëllimi i forumit, tha Prokurorja Pula.
Lidhur me organizimin e javës së të drejtave të viktimave të krimit, Prokurorja Pula tha se qëllimi i javës së të drejtave të viktimave është vetëdijesimi i popullatës në parandalimin e krimeve, informimi mbi të drejtat e viktimave dhe sensibilizimi i vetë institucioneve të thirrura për mbrojtjen e të drejtave të viktimave.
Në anën tjetër, Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Shenaj Berisha, foli për të drejtat e viktimave të krimit. Ajo tha se viktimat e krimit kanë të drejtë në mbrojtje, në gjykimin e rasteve të tyre në një kohë të arsyeshme, në trajtim të dinjitetshëm gjatë procedurës, në kompensim për dëmet e pësuara nga krimi dhe në rehabilitim me qëllim të mënjanimit të pasojave të krimit.
Ndërsa, Saranda Keqekolla, Mbrojtëse e Viktimave në Prokurorin e Shtetit, para studenteve prezantoi punën që bënë Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë viktimave dhe rolin e kësaj zyre në mbështetjen e viktimave gjatë gjitha procedurave ligjore.