Studentët dhe Universiteti ndihmojnë Komunën në shumë projekte
Prishtinë, 19 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu, u takuan sot me Rektorin e Universitetit Hasan Prishtina, Anton Berisha, për të diskutuar rreth çështjeve me interes të përbashkët në mes të Komunës dhe Universitetit, si dhe për shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Rektori Berisha tha në prononcimin për media se u zhvillua një takim shumë i frytshëm, ku u diskutua konkretisht edhe për hapësirën e kampusit të Universitetit dhe për projektet që do ta bëjnë këtë kampus edhe më të mirë.
Biseduam për mënyrën e realizimit të këtyre projekteve. Nga ana e Kryetarit të Komunës ka pasur ide që të shfrytëzohen edhe kapacitetet tona akademike, sidomos në këtë fazë nga Fakulteti Teknik. Ne jemi vënë në dispozicion me të gjitha kapacitetet tona, që të bëhemi pjesë e proceseve për rregullimin e Prishtinës si dhe rregullimin e kampusit universitar, u shpreh Rektori.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksoi se brenda këtyre ditëve do të nënshkruhet edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Komunës dhe Universitetit.
Me Fakultetin Teknik tashmë kemi filluar punën e përbashkët për inventarizimin e hapësirave për parkingje në qendër të qytetit. Po mundohemi që ti përdorim të gjitha resurset që i kemi në Kosovë. Ky bashkëpunim konkret është në vazhdën e planeve tona që në shtator të fillojmë me kompaninë publike të parkingut dhe rregullimin e parkingut në qendër, e që më pas do të zgjerohet edhe nëpër lagjet tjera, u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se Komuna e Prishtinës gjatë muajit të ardhshëm do ta shpallë konkursin publik për zgjidhjen urbanistike të pjesës prej ndërtesës së Kuvendit të Kosovës e deri te ndërtesa e Katedrales, me çrast do të kemi edhe zgjidhjen për kampusin universitar.
Jemi të interesuar që të investojmë në rregullimin e parkut brenda kampusit universitar, si dhe jemi të interesuar ti marrim kërkesat e Universitetit për ndërtesa të reja, pasi që tani është koha që ta bëjmë një zgjidhje të përgjithshme edhe për kampusin, e edhe për qytetin tonë, tha Ahmeti.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi që do të nënshkruhet në mes të Komunës së Prishtinës dhe Universitetit Hasan Prishtina do të jetë afatgjatë, dhe do të shërbejë për shumë projekte ku do të mund të kontribuojnë studentët tanë.