Studentët dhe menaxhmenti kundërshtojnë iniciativat për ndarje të UP-së
Prishtinë, 11 dhjetor - Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pritur sot në takim kryesinë e Parlamentit Studentor të UP-së. Në këtë takim, studentët shprehën shqetësimin lidhur me iniciativën e ditëve të fundit për ndarje nga UP-ja të fakulteteve teknike dhe të Fakultetit të Mjekësisë së UP-së.
Kryetari i PS-së, studenti Erzen Hyseni, tha që studentët pozicionohen skajshmërisht kundër këtyre iniciativave, të cilat në qendër nuk e kanë studentin, por interesat personale dhe grupore.
“UP-në, të cilën okupuesit nuk kanë mundur ta parcializojnë, po fillojmë ta ndajmë ne. Një ndarje e tillë është jo e menduar mirë, marrë parasysh numrin e madh të universiteteve publike dhe sfidat e universiteteve të reja për funksionim normal,” shtoi Hyseni.
Nga ana tjetër, menaxhmenti i UP-së u shprehën se i kuptojnë plotësisht shqetësimet e studentëve dhe se me vëmendje janë duke i përcjellë këto zhvillime të pakëndshme, jo vetëm për UP-në, por në përgjithësi për Arsimin e Lartë në Kosovë. Ishe qëndrim i përbashkët që nismat e tilla nuk i shërbejnë vendit, në veçanti studentëve të këtij vendi, sepse të tillat janë ngritur mbi pretendime të pabazuara, duke mos i paraprirë ndonjë analizë apo hulumtim paraprak.
Në këtë kontekst rektori UP-së prof. dr. Naser Sahiti u shpreh se “përpjekjet tona duhet të koncentrohen në ngritjen e UP-së dhe jo në parcializimin e tij, sepse mbi të gjitha, UP-ja është institucion stabil, me kredibilitetin më të lartë në hapësirat shqiptare dhe me tendencë të ngritjes së mëtejme.”
Të pranishmit në këtë takim bënë thirrje që të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces të jenë të matur në veprimet dhe qëndrimet e tyre dhe të vënë interesin shtetëror dhe të të rinjve tanë, para çdo interesi tjetër. Në të kundërtën, studentët nuk përjashtuan as forma të tjera të kundërshtimit të këtyre nismave.
Studentët e pranishëm në këtë takim shprehen edhe shqetësimin e tyre rreth shpërndarjes së bursave për studentët e universiteteve publike nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Në mesin e përfituesve, sipas studentëve, nuk janë përfshirë edhe 150 studentë të Fakultetit të Mjekësisë.
Sipas PS-së, studentët e mjekësisë janë diskriminuar nga ky proces, në një periudhë kur nevoja për mjekë është e theksuar, por trajtimi i mjekëve të ardhshëm nuk është i duhuri. Ata paralajmëruan se do të vijojnë me ngritjen e zërit të tyre, derisa studentët të marrin trajtimin e duhur dhe të barabartë në këtë proces.