Studentët ankohen për profesorët që nuk shkojn në ligjerata
Prishtinë, 9 janar - Parlamenti i studentëve, sot ka publikoi rezultatin e pyetësorit, me anë të të cilit, janë evidentuar shumë parregullsi gjatë procesit studimor në Universitetin e Prishtinës.
Sipas rezultateve, problemi më i madh në universitet, është mungesa e profesorëve në ligjërata, emrat e të cilëve vijnë edhe nga jeta politike. Profesorët kanë bërë presion të vazhdueshëm që të mos publikohen emrat e tyre.
Rreth 83 profesorë të Universitetit të Prishtinës janë përmendur më shumë nga studentët të cilët nuk kanë respektuar orarin e ligjëratave. Prej tyre janë edhe emra të njohur të jetës politike, si Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Arsim Bajrami, Ibrahim Gashi, Isa Mustafa, Enver Hasani e shumë të tjerë.
Kryetari i parlamentit, Mentor Hasani, tha se përveç mungesës së profesorëve, janë shprehur edhe mangësi të tjera, si:keqmenaxhimi, mungesa e hapësirave, mungesa e literaturës, korrupsioni, mungesa e ngrohjes, e të tjera.
Hasani, tha se këto rezultate do ti dorëzohen nesër Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, dhe do të kërkojnë nga menaxhmenti masa ndëshkuese ndaj profesorëve që mungojnë.
Hasani bëri të ditur, se kanë pasur presion të vazhdueshëm nga profesorët, për të mos publikuar rezultatin e pyetësorit.
Studentët do ti japin afat menaxhmentit, që të ndërmarrë masa ndaj parregullsive në Universitet, deri në muajin e parë të semestrit të dytë. Në rast se nuk do të ndërmerret asgjë, atëherë studentët do të shikojnë vet se çfarë masash do të ndërmarrin për të parandaluar këto dukuri.