Sot shpallen rezultatet e Testit të Maturës
Prishtinë, 7 korrik - Sot pritet që të shpallen rezultatet e Testit Shtetëror të Maturës dhe menjëherë pas shpalljes së këtij rezultati pritet që të hapet edhe konkursi për regjistrim të studentëve në vitin akademik 2014-2015.
Pjesa e parë e Provimit të Maturës Shtetërore është mbajtur me 14 qershor, për rreth 46 mijë maturantë sa ka pasur Kosova këtë vit, të cilët janë testuar në 390 qendra të testimit.
Gjatë procesit të testimit, në shumë qendra janë vërejtur parregullsi, që kanë dërguar edhe në ripërsëritjen e testit në disa qendra.
Testi është administruar nga më shumë se 3000 administrues dhe 626 kryetarë komisionesh, të cilët janë përzgjedhur nga zyrtarët e MAShT-it dhe nga profesorët e universiteteve të Kosovës, në pjesën e parë të testimit, ndërsa në pjesën e dytë, në vend të mësimdhënësve, janë angazhuar kompani të sigurimit fizik, të cilët e kanë bërë administrimin fizik të Testit të Maturës Shtetërore.
Ndryshe, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit, javën e ardhshme do të dorëzojë në Prokurori një kallëzim penal për 100 qytetarë të Kosovës, të cilët më 14 qershor - në një mënyrë ose tjetër - kanë ndërhyrë në procesin e testimit të maturantëve.