Sot përfundon Universiteti Veror Ndërkombëtar
Prishtinë, 18 korrik - Sot, duke filluar në orën 17:00, në Qendrën e Studentëve do të mbahet ceremonia e mbylljes së edicionit të 14-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, ku edhe do të bëhet certifikimi i studentëve.
Prof. dr. Anton Berishaj, u.d. i rektorit të UP-së, do të mbajë fjalim me rastin e mbylljes së këtij edicioni, ndërkaq ceremonia do të shoqërohet edhe me paraqitje muzikore të bendit ODA.
Në këtë edicion veror kanë marrë pjesë rreth 400 studentë, prej të cilëve rreth 150 ndërkombëtarë, ndër ta 75 nga Evropa Juglindore, si dhe nga vendet e rajonit, ku bëjnë pjesë: Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Moldavia dhe Rumania.
Pjesa tjetër e studentëve pjesëmarrës janë nga Universiteti i Prishtinës, përfshirë një numër të vogël të studentëve nga institucionet e tjera të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.