Sot fillon ndërtimi i shkollës
Mitrovicë, 30 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe kryetarin e Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, kanë marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Shkollës Model, ku do të mësojnë nxënësit e shkollës Ismail Qemaili në Mitrovicë.
Ministri Bajrami tha se është nder i madh për Qeverinë e Kosovës, që fillojmë ndërtimin e një shkolle me standarde evropiane. Ai theksoi se po krijohen kushte më të mira për mësim, në mënyrë që të përgatiten nxënës të shekullit 21.
Do të donim që ky investim i madh i Qeverisë të përcillet me një shkollë cilësore. Të dashur nxënës e profesor të shkollës Ismail Qemaili, është meritë e juaj që ne po krijojmë kushte më të mira. Kjo shkollë do ti plotësojë të gjitha standardet. Është një shkollë që do të mundësojë jo vetëm mësimdhënien dhe mësimnxënien, por do të mundësojë që shkollat tona të jenë humane, ekologjike, motivuese, të mundësojnë që të përgatisim nxënës të shekullit 21, tha ministri Bajrami para nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të pranishëm në lagjen Bair të Mitrovicës, ku do të ndërtohet kjo shkollë.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, tha se kjo është një ditë e veçantë, pasi po ndërtohet një shkollë moderne falë investimit të Qeverisë së Kosovës. Ju nxënës të dashur dhe mësimdhënës të shkollës Ismail Qemali, mësoni sa më shumë që ta kemi atdheun tonë më të fuqishëm ekonomikisht, më të integruar politikisht, tha ai.
Gurthemelin për ndërtimin e shkollës së re model, e vendosën kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, ministri i Arsimit, z.Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, z.Agim Bahtiri.
Ky është objekti i dytë i ndërtimit të Shkollës Model, pas atij në Prishtinë, ku do të mësojnë nxënësit e nivelit parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët. Objekti i shkollës do të ketë sipërfaqe bruto rreth 5 mijë metra katrorë, duke përfshirë pjesën gjelbëruese, terrenin sportiv dhe parkingun, ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e shkollës është rreth 1 milion e 863 mijë euro.