Sot diplomojnë 55 nxënës me inteligjencë të jashtëzakonshme
Prishtinë, 14 korrik - Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës mbahet ceremonia e diplomimit nga shkolla verore e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Projekti Atomi ka përfunduar shkollën verore për 55 nxënësit finalistë, të përzgjedhur në kuadër të ciklit të dytë të Projektit ATOMI si nxënës me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Me rastin e përfundimit të shkollës verore, të gjithë nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje, me çrast edhe do të organizohet një Ceremoni Solemne e Diplomimit.
Qendra Encomapass është duke zbatuar Projektin Atomi, i cili ka për qëllim identifikimin dhe
përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë.
Përkatësisht, qëllimi i këtij projekti është identifikimi i hershëm i nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, si dhe ofrimi i mundësive, kushteve, trajtimit, përkujdesjes dhe shkollimit të veçantë për këta nxënës, duke u bazuar në potencialet e tyre intelektuale, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin dhe kushtet e rrethanat reale socioekonomike
të tyre.
E gjithë kjo bëhet me qëllim që këta nxënës të kenë mundësi që ta zhvillojnë dhe realizojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe kësisoj ti kontribuojnë në radhë të parë zhvillimit të tyre personal dhe në të njëjtën kohë edhe interesit të përgjithshëm shoqëror.
Projekti Atomi ka filluar së zbatuari që nga viti 2011 dhe deri më tani u ka dhënë mundësi përfshirjeje të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta të Kosovës (të klasëve VIII XIII), nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, ndërsa në vitet që vijojnë projekti synon të zgjerohet dhe të përfshijë të gjithë nxënësit e shkollimit parauniversitar në Kosovë, si dhe synon që të zgjerohet edhe në Shqipëri në vitet e ardhshme.
Në fillim të çdo cikli, nxënësit e të gjitha shkollave informohen dhe kanë mundësi të aplikojnë apo të nominohen nga prindërit apo familja, nga mësimdhënësit, nga shoqëria apo të vetënominohet.
Pas aplikimit-nominimit, të gjithë aplikantët i nënshtrohen një procesi rigoroz disafazësh të seleksionimit, i cili realizohet përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës.
Pas këtij procesi, për çdo vit, përzgjidhen 50 nxënësit më të mirë nga mbarë Kosova (me koeficientin më të lartë të inteligjencës, që të gjithë me inteligjencë shumë superiore).
Për këta 50 nxënësit më të suksesshëm, Projekti ATOMI, përkatësisht Qendra ENCOMPASS synon të ofrojë një varg shërbimesh, si:
- shërbime të këshillimit psikologjik dhe shërbime të orientimit në karrierë,
- mentorim personal nga profesionistët dhe ndërmjetësim për bursa për studime,
- mundësi qasjeje në literaturë të avancuar,
- shkollë verore me kurse të avancuara dhe aktivitete sociale,
- shkollën e avancuar të vikendit (me kurse nga shkencat ekzakte, sociale dhe shkathtësi për jetën),
- krijimin dhe funksionalizimin e klubeve regjionale të Atomistëve në 7 regjionet e Kosovës,
- vizita të ndryshme studimore dhe qasje në punë shkencore dhe laboratorike.