SKV: Universiteti i Prishtinës në shërbim të pushtetit
Prishtinë, 17 mars - Lëvizja studentorepër Barazi Studim Kritikë Veprim (SKV) ka reaguar ndaj vendimit të Senatit dhe Këshillit Drejtues për heqjen e afateve të provimeve në Universitetin e Prishtinës.
Përfaqësuesja e kësaj lëvizje Edona Ismajlit ka thënë së rritja e rrogave të anëtarëve të Këshillit Drejtues në kohën kur pagesat semestrale për studentët është e papërballueshme, është fyese.
"Para pak kohësh, Këshilli Drejtues në njërën nga mbledhjet e tij mori një vendim fyes dhe kriminal. Vendimi kishte të bënte me rrogat e anëtarëve të organit të pushtetit në UP, pra të Këshillit Drejtues."
Ky vendim sipas saj merret në kohën kur studentët për studime themelore paguajnë 50 euro, për master rreth 250 dhe nga 5 euro për çdo provim.
Kjo ndodh, kur studentët arrijnë në UP nga familje të cilat jetojnë në varfëri të skajshme. Pra, dyfishimi i rrogave bëhet krejtësisht në kurriz të studentëve.
"U vendos që anëtarëve të Këshillit Drejtues, që janë të zgjedhur nga senati i UP-së, tu dyfishohet rroga. Kjo u bë me arsyetimin se anëtarët tjerë të këtij këshilli, që janë të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, paskan rrogë më të lartë dhe se rrogat duhet të nivelizoheshin", ka theksuar aktivistja Edona Ismajli.
Lëvizja studentore për barazi Studim Kritikë Veprim, gjithashtu ka kërkuar që afati i provimeve i muajit prill dhe tetor të bëhet afat i përhershëm.
Ndërsa Valon Pireva ka thënë se është bërë temë debati një vendim shumë i padrejtë i Senatit të UP-së, i marrë në datën 12.03.2013, ku u vendos arbitrarisht që afati i prillit të mbahet vetëm edhe këtë vit me mundësi të hyrjes vetëm në një provim, që afati i tetorit dhe i prillit të mos mbahet nga viti tjetër akademik si dhe që absolventët të mos kenë të drejtë të futen në provime për çdo muaj.
"E tërë kjo po ndodh nga ana e Këshillit Drejtues dhe Senatit të UP-së duke e
arsyetuar vendimin me respektim të statutit të UP-së", ka theksuar Pireva.