Skandali me diploma, për një ditë diplomuan 105 studentë
Prishtinë, 5 mars - Agron Mustafa, tashmë kryeshef i ri ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), ka qenë vetë i 105-ti student që kanë diplomuar për një ditë në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.
Me gjasë kjo është ceremonia më e madhe e diplomimit të studentëve në një Universitet publik të vendit, disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, përkatësisht më 24 maj të vitit 2000.
Diplomat e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Pejës, pasi që sipas Rektoratit të Universitetit, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë.
Për këtë skandal ka raportuar të mërkurën gazeta Zëri, me çrast ka botuar dosjen 13 faqesh të Prokurorisë, e cila tashmë është duke u hetuar edhe Departamenti për Krime të Rënda pranë Policisë së Kosovës.