Sindikatat e arsimit protestojnë sot kundër projektligjit për paga
Prishtinë, 8 shtator - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) do të protestojë sot kundër Projektligjin për paga të aprovuar gjatë kësaj jave nga qeveria.
SBASHK ka deklaruar se të punësuarit në sektorin e arsimit nga çerdhet e deri edhe në Universitete janë të zhgënjyer me veprimin e Qeverisë, e cila aprovoi Projektligjin për paga duke mos përfillur sa duhet kërkesat e vazhdueshme e të argumentuara të SBASHK-ut për pozitë meritore në këtë Projektligj të punëtorëve arsimor.
Ky veprim i Qeverisë pikërisht në ditën kur filloi viti i ri shkollor sipas SBASHK-ut ka bërë që punëtorët e arsimit të ndjehen të diskriminuar e të degraduar dhe prandaj kanë kërkuar nga organet udhëheqëse të SBASHK-ut që niset me veprime konkrete sindikale.
Kështu duke dëgjuar zërin e anëtarësisë SBASHK-u organizon sot para ndërtesës së Qeverisë një protestë në të cilën marrin pjesë kryetarët e shoqatave sindikale të shkollave fillore, të mesme dhe njësive akademike të Universiteteve të Kosovës, anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarët e niveleve komunale dhe të Universiteteve dhe Kryesia, që përbëjnë numrin prej rreth 1000 pjesëmarrësish në këtë veprim sindikal.
SBASHK u drejtohet kryetarëve të shoqatave sindikale të shkollave fillore, të mesme dhe njësive akademike të Universiteteve të Kosovës, anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarët e niveleve komunale dhe të Universiteteve, që të jenë pjesë e kësaj proteste, që shënon fillimin e veprimeve sindikale nëse Qeveria nuk reflekton, dhe të kenë qëndrim të dinjitetshëm ashtu si u ka hije njerëzve të dijes dhe kulturës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka deklaruar së përkrahet këto protesta dhe cilido hap i ardhshëm që do ta ndërmerr SBASHK-u lidhur me zgjidhjen e kërkesave të punëtoreve të arsimit, ngase sipas tyre sistemi arsimor është shtylla kyçe e vendit dhe qeveria jonë duhet ta trajtoj në menynë sa me meritore.
BSPK i përkrahë veprimet sindikale të SBASHK-ut, rreth pakënaqësive që i kanë shprehur lidhur me Ligjin për pagat dhe kërkon nga Qeveria të ndërmerr masa që sa më shpejtë t’i përmirësoj këto lëshime duke bërë plotësim/ndryshimet me kërkesat e dala nga SBASHK-u.