15 Nëntor 2024

Shumë lagje të kryeqytetit pa objekte shkollore

Prishtinë, 16 nëntor - Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se mungesa e objekteve shkollore në Kalabri, Vetërrnik, Mat, Sofali dhe Arbëri, tek Përroi i Njelmët dhe në lagje të tjera të kryeqytetit ka shkaktuar rritjen e numrit të nxënësve në SHFMU “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemaili”, “Faik Konica”, “Meto Bajraktari”, “Dardania” dhe disa institucione tjera të këtij niveli shkollor.

Agim Gashi shef i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka thënë se kjo po ndodh sepse Komuna e Prishtinës në tri vitet e fundit nuk ka filluar të ndërtojë asnjë objekt shkollor, përkundër planifikimit të përvjetshëm dhe mundësisë potenciale që i ka për financimin e ndërtimit të kësaj infrastrukture.

\"Drejtoria Komunale e Arsimit e Komunës së Prishtinës për çdo vit po përpiqet të promovojë mësimin gjithëditor në të njëjtat institucione, ku mësimi zhvillohet në dy ndërrime, ku mungon infrastruktura elementare, ku nxënësit nuk i janë krijuar kushtet e domosdoshme të qëndrimit gjatë gjithë orarit të mësimit gjithëditor në mënyrë që të ndjehet si në ambientin familjar ku ai do të mund të ushqehet, të argëtohet e të zhvillojë aktivitete në fusha të  ndryshme mësimore dhe ku ai, përpos mësimit bazik, të mund të përfitojë nga programet e fushave  të ndryshme\", ka theksuar Gashi.

Se çfarë pasojash ka shkaktuar mosrealizimi i planifikimit të përvjetshëm në infrastrukturën shkollore nga qeveria komunale e Komunës së Prishtinës sipas Gashit mund të shohim pamjet përreth shkollave kur nxënësit shkojnë në mësim dhe kur ata lëshohen nga mësimi.

Ai ka vlerësuar se përreth objekteve shkollore po krijohet kaos nga veturat dhe transporti i organizuar për të sjellë fëmijët dhe për t’i kthyer ata në shtëpitë e tyre nga lagjet ku mungojnë objektet shkollore.

Po ashtu, kjo gjendje sipas tij ka ndikuar dukshëm që, në këto institucione, të rritet numri i nxënësve dhe të ndikojë që mësimi të zhvillohet në dy e më shumë ndërrime.

\"Kjo po ndikon që të ngushtohet hapsira shkollore për kokë nxënësi gjë që  automatikisht ndikon në pengimin e ngritjes së cilësisë në mësime.\"

\"Qasja me gjakftohtësi në këtë fushë e qeverisë komunale në Prishtinë dhe mos vënia në prioritet e ndërtimit të objekteve shkollore në politikën zhvillimore tregon se sa e kanë dëmtuar arsimin e Prishtinës politikat e Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes në këto tri vitet e qeverisjes së tyre.\"

\"Jo vetëm kaq, por ka edhe shumë anomali tjera, të cilat nuk ishin pjesë e premtimeve të tyre në kohë fushate, por që tani duke qenë pjesë e politikave qeverisëse po dëshmojnë se shkollat e Prishtinës janë shndërruar në institucione ku punësohen militantët e VV-së, ku po bëhen spastrime politike dhe po zgjedhen drejtorë të anëtarësuar në VV, ose janë në lidhje të ngushta me rrjetin e militantëve të VV-së, ku punësohen mësimdhënës, kryesisht nga Gjakova dhe komuna tjera anembanë Kosovës si anëtarë të VV-së e më së paku të Prishtinës\", ka deklaruar Gashi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)