Shtetet e reja siç është Kosova janë të detyruara të krijojnë arsim cilësor
Prishtinë, 12 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit të BE-së: "Së bashku për mësimnxënie cilësore", projekt ky tre vjeçar për mbështetje të sektorit të arsimit.
Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi se Projekti i Binjakëzimit ka mundësuar që ne të bëjmë përpjekje serioze për të përmirësuar sistemin arsimor. Shtetet e reja siç është Republika e Kosovës janë të detyruara të krijojnë arsim cilësor dhe ky projekt ka qenë një mundësi e shkëlqyeshme që ne të punojmë në disa segmente, në mënyrë që tua bëjmë të mundshëm nxënësve tanë një arsim cilësor, si kusht për progres të rëndësishëm shoqëror, tha ai.
Ministri theksoi se fusha e parë dhe më e rëndësishme e Projektit ka qenë implementimi i Kurrikulës brenda shkollave. Ky projekt na ka mundësuar që të përgatitemi dhe ti trajnojmë mësimdhënësit, personat kyç në shkolla për implementimin e plotë të kurrikulës.
Ministri Bajrami tha se, pasi që projekti po përfundon, është përgjegjësi e jona, e mësimdhënësve, e drejtorëve, e Fakultetit të Edukimit që është faktori kryesor në implementimin e Kurrikulës, që ta zbatojmë sipas udhërrëfyesit që kemi ndërtuar.
Ndërsa, duke folur për një fushë tjetër ku është punuar me Projektin e Binjakëzimit, ministri Bajrami theksoi hartimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë, e cila është edhe çelësi se si ne duhet ta ndërtojmë cilësinë brenda shkollave.
Ministri Bajrami iu premtoi të gjithë bashkëpunëtorëve që kanë dhënë kontribut të madh përmes këtij projekti, se këto produkte të Projektit të Binjakëzimit do të mbeten asete vendore dhe do të shtyhen përpara me përgjegjësi.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij, Ministri falënderoi të gjithë partnerët në këtë projekt dhe i ftoi ata që të vazhdojnë bashkëpunimin me projekte të tjera. Ai e siguroi BE-në se do të punohet me përkushtim që viti 2017 të jetë vendimtar në ndërtimin e një shkolle cilësore dhe një sistemi pozitiv të edukimit.
Luigi Brusa, kryesues sektorit të bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë falënderoi MAShT-in për bashkëpunim në këtë projekt, ndërsa ndër të tjera theksoi se, zbatimi i kurrikulës së re është me rëndësi të madhe për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Për projektin folën edhe Gerhard Kowar, drejtor i KulturKontakt Austria dhe Sampo Suihko, udhëheqës i Projektit të Binjakëzimit.