Shqipëria me rreth 70 mijë analfabet
Tiranë, 31 korrik - Në Shqipëri rreth 70 mijë persona nuk dinë shkrim dhe lexim. Ndërkohë që mbi 4 mijë prej tyre janë 'analfabetë me shkollë'.
Këto të dhëna janë bërë publike ditën e djeshme nga 'Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri'.
Sipas këtij raporti, vendi ynë është i fundit në rajon për sa u përket investimeve për arsimimin e fëmijëve.
Në fokus të raportit janë edhe çështje si braktisja e shkollës, cilësia e ulët e arsimit, gjendja e edukimit të fëmijëve romë, shtresat vulnerabël, çështje të edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, respektimi i të drejtave të fëmijëve.
Për sa i përket nivelit të braktisjes së shkollës, ka disa mospërputhje të shifrave për sa u përket të dhënave zyrtare, pasi Ministria e Arsimit raporton një nivel që është midis 0.9-1.5 për qind të braktisjes së shkollës, ndërsa nga të dhënat e marra nga USAID-i niveli është 13 për qind.