Shqipëria e Kosova se shpejti edhe me diploma të përbashkëta
Tiranë, 5 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ka biseduar për arsimin e të dy shteteve, me theks të veçantë përafrimin e kurrikulave parauniversitare.
Gjatë takimit u fol edhe për mundësitë e njohjes së diplomave të studentëve kosovarë, të cilët kanë mbaruar studimet në universitet e Shqipërisë, por që nuk kanë qenë të akredituara nga agjencionet, të cilat janë kompetente dhe të njohura ndërkombëtarisht për këtë çështje.
Me kryeministrin Rama biseduam për kurrikulën e përbashkët, e cila do të realizohet duke e pasur parasysh gjithmonë ngritjen e cilësisë së arsimit në të dy vendet tona, theksoi ministri Buja, ndërsa tha se me kryeministrin Rama ka biseduar edhe për diplomat e përbashkëta, që mund të realizohen me marrëveshje ndëruniversitare, por edhe për problemin e njohjes së diplomave.
Shpresojmë se problemi i diplomave do të zgjidhet shumë shpejt, sepse u tha se deri në muajin qershor, do të verifikohen të gjitha institucionet e arsimit privat të Shqipërisë dhe do të akreditohen ato që plotësojnë kriteret, tha ministri Buja.
Sipas ministrit Buja, qëllimi i përbashkët i të dy vendeve është që të krijohen mundësitë edhe për hartimin e teksteve të përbashkëta, e krahas kësaj rritjen e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet konform standardeve evropiane.
Gjatë vizitës në Tiranë, ministri Buja është takuar edhe me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj.Lindita Nikolla, më të cilën bisedoi lidhur me përafrimin e Kurrikulave për Arsimin Parauniversitar, njohjen e diplomave të arsimit të lartë privat si dhe për njohjen diplomave të përbashkëta Kosovë-Shqipëri