Shqipëria e gatshme për të zgjeruar bashkëpunimin më Kosovën
Prishtinë, 11 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministren e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, zonjën Lindita Nikolla.
Presidentja Jahjaga me ministren Nikolla bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të arsimit të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë dhe vlerësoi se me qëllim të ngritjes së cilësisë, në përputhje me normat dhe standardet evropiane, do të ishte me interes zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.
Presidentja Jahjaga theksoi se marrëdhëniet midis institucioneve të dy vendeve tona janë shembull për gjithë rajonin dhe theksoi rëndësinë që këto marrëdhënie të avancohen dhe të thellohet bashkëpunimi në secilën fushë me interes dypalësh.
Ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë zonja Lindita Nikolla, shprehu përkushtimin e qeverisë shqiptare për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet e arsimit në Kosovë.
Ajo theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira midis dy vendeve si në arsimin parauniversitar por po ashtu edhe në arsimin e lartë.