Shpalosën aktivitetet për kampanjën Prishtina lexon
Prishtinë, 28 maj - Sot, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci dhe udhëheqësja e kabinetit të kryetarit, Fitore Pacolli Dalipi, mbajtën një konferencë për shtyp me çrast shpalosën aktivitetet që do të organizohen për kampanjën Prishtina lexon.
Në këtë konferencë, Fitore Pacolli Dalipi tha se fillimi i këtij aktiviteti do të bëhet në mënyrë të organizuar. Fëmijët nga katër lagje të ndryshme të Prishtinës do të nisen nga shkollat Dardania, Shkolla e Gjelbër dhe Ismal Qemali dhe do të mbërrijnë tek biblioteka kombëtare, respektivisht, të dielën në ora 9:30, ndërsa më pas do të parakalojnë në rrugën Agim Ramadani, përgjatë shesheve kryesore. Në ora 10:00 në sheshin Zahir Pajaziti do të bëhet hapja e kampanjës Prishtina Lexon.
Në këtë kampanjë do të jetë prezent edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili do të lexojë për fëmijët. Po ashtu, do të jetë edhe këndi i Komunës së Prishtinës në të cilin anëtarët e kabinetit qeverisës së Komunës do të lexojnë për fëmijët në ditën e parë të kampanjës, të dielën më 31 maj, tha Pacolli.
Pacolli tha se edhe gjatë këtij viti, njëjtë si në vitin e kaluar do të ketë disa kënde të leximit në të cilat do të lexojnë për fëmijë personalitete të njohura nga sfera të ndryshme.
Pjesë e rëndësishme e kësaj kampanje do të jenë edhe fëmijët e shoqatës Down Syndrome Kosova, Handikos dhe fëmijë të komuniteteve. Pjesë e kësaj kampanje do të jenë edhe organizata të shumta, si SOS Kinderdorf, UNICEF, Save the Children, etj.
Gjithashtu, pjesë e kësaj kampanje do të jetë edhe Fakulteti i Edukimit ku do të jenë profesorët së bashku me studentët që do ti orientojnë fëmijët sa i përket literatueës e cila është e rëndësishme për ta. Risi tjetër është se gjatë këtij viti do të jenë edhe kënde të posaçme, si këndi amerikan, francez, suedez dhe këndi britanik në të cilët do të lexohet letërsia e këtyre shteteve.
Arbërie Nagavci tha se kjo kampanjë organizohet me qëllim që fëmijët tanë ti orientojmë më shumë drejt leximit.
Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës ka ndërmarrë disa hapa që ky të jetë një aktivitet i pëlqyeshëm për fëmijë dhe synojmë që jo vetëm gjatë këtyre dy ditëve sa do të zgjasë Prishtina Lexon, por të angazhohemi bashkërisht që leximi të jetë prioritet i fëmijëve tanë. Sivjet Drejtoria e Arsimit ka planifikuar që të fillojë në dhjetë shkolla furnizimin me 100 tituj të rinj të librave dhe po ashtu në këto shkolla do të krijohen edhe këndet e hapura të leximit ku nxënësit do të mund të lexojnë edhe gjatë kohës së lirë të tyre, tha Nagavci.
Nagavci tha se gjatë këtij viti në kuadër të kampanjës Prishtina Lexon do të realizohet për herë të parë edhe aktiviteti Përralla më e bukur për qytetin tim, e cila do të bëhet me konkurs të hapur, ndërsa për një aktivitet të tillë janë njoftuar të gjitha shkollat. Nxënësit nga mosha 7 16 vjeç do të mund të dorëzojnë punimet e tyre, ndërsa për fituesit që do të shpallen nga komisioni përkatës, do të ndahen edhe shpërblime. Shkrimet fituese do të publikohen edhe në shtypin e përditshëm.
Drejtoresha Saranda Bogujevci deklaroi se pjesë e kampanjës Prishtina Lexon, gjatë këtij viti do të jenë edhe bibliotekat mobile që do të vendosen në sheshet e qytetit. Ajo tha se planifikohet që këto biblioteka në të ardhmen të vendosen edhe nëpër lagje të tjera të qytetit, gjë që është pjesë e vazhdimësisë së angazhimit të kësaj drejtorie për të shtuar interesimin e fëmijëve për leximin dhe shkrimin.
Po ashtu, biblioteka Hivzi Sulejmani edhe këtë vit do ta bëjë anëtarësimin pa pagesë, ndërsa gjatë këtyre ditëve teatri Dodona do të prezantojë disa shfaqje. Gjithashtu, edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve do ta ketë programin dedikuar fëmijëve. Si çështje sigurie kemi menduar që tiu shpërndajmë byzylykë dore për fëmijët ku prindërit do të shënojnë emrin, mbiemrin dhe numrat e tyre të telefonit që në rast se ndonjë fëmijë do të largohet nga prindërit, personi i parë që bie në kontakt me atë fëmijë, në bazë të të dhënave në byzylykë, ka mundësi të dijë se ku të mund lajmërohet, tha Bogujevci.
Kampanja Prishtina Lexon do të realizohet për dy ditë me radhë, respektivisht në datat 31 maj dhe 1 qershor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.