Shpallet fituesi për idenë më të mirë në sfidën e UP-së
Prishtinë, 7 qershor - Në konferencën e organizuar për media, rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, prof. dr. Ibrahim Gashi, e shpalli studentin e Fakultetit të Stomatologjisë, Avdyl Gashi, fitues për idenë më të mirë në sfidën e UP-së në Facebook për ta përmirësuar mënyrën e komunikimit mes profesorëve, studentëve dhe personelit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Ky projekt, i cili ka qëllim reformimin e UP-së, vjen në kuadër të nismës së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar Misioni në Kosovë (USAID/Kosova) dhe Zyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Rektori Gashi e falënderoi USAID-in, i cili nëpërmjet dy ekspertëve amerikanë, Marlana Valdez dhe Erik Spurgin, po e mbështet reformimin e UP-së me projekte që po e ndihmojnë dhe po e lehtësojnë komunikimin mes studentëve, profesorëve dhe personelit të UP-së.
Studentët e kanë kuptuar se menaxhmenti i UP-së po e dëgjon zërin e tyre për ta përmirësuar komunikimin dhe për ta reformuar Universitetin.
Ndërkaq, Elizabeth Santucci, drejtoreshë e Zyrës për Zhvillim Ekonomik në Misionin e USAID-it, e falënderoi rektorin Gashi për ftesën, duke shtuar se USAID-i është krenar që është partner në këtë projekt.
E përgëzoj rektorin Gashi për vizionin dhe për përkushtimin e tij për ta reformuar UP-në. Edhe pse sot do të mësojmë për idenë më të mirë, besoj se Rektorati do të vazhdojë ti zbatojë idetë e tjera të studentëve. USAID-i do të vazhdojë ta mbështesë Universitetin e Prishtinës, tha ajo.
Ndërkaq, studenti fitues, Avdyl Gashi, shprehu falënderim për udhëheqësit e Universitetit, të cilët tani po bashkëpunojnë me studentët dhe po i kërkojnë edhe idetë e tyre për të punuar në reformimin e UP-së.
Ideja fituese e Avdyl Gashit për sugjerimin e tij, që të gjithë studentëve të UP-së tu krijohen e-mail adresa zyrtare të Universitetit, synohet të zbatohet brenda muajit korrik.
Rektori Gashi me këtë rast njoftoi se kompania Google i ka dhuruar Universitetit të Prishtinës \'\'Hasan Prishtina\'\' 50 mijë adresa elektronike.