Shpallen fituesit e garës Eureka 6 që sfidoi rreth 2000 nxënës nga mbarë Kosova
Prishtinë, 24 mars - Gjimnazi Hasan Nahi në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “ATMOSFERA”, e mbështetur nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Komunale Arsimore dhe shkollat fillore, ka organizuar me sukses dhe jehonë të madhe Garën e Inteligjencës Eureka 6.
Kjo shkollë ka patur mbështetjen e ministrisë së arsimit që në hapat e para të saj. Dhe ja ku jemi sot, vetëm pas gjashtë viteve besimi dhe mbështetja e MASHTit po merr frytet e saj.
Faza e parë e Garës EUREKA 6, u organizua me 15 Dhjetor 2018 në 27 komuna në të njëjtën ditë dhe orë ku morën pjesë rreth 2000 nxënës të klasave të IX nga mbarë Kosova. Pas etapës së parë u zgjodhën 255 finalistë të cilët garuan më 23.03.2019 në ambientin e Gjimnazit Hasan Nahi për etapën finale.
E cilësuar me të drejtë nga media Kosovare si “Gara që sfidoi dijen e 2000 nxënësve”, gara Eureka, mendojmë se i ka sjellë një sinergji dhe kurajo nxënësve për ta përqafuar më shumë arsimin e dijen.
Dita e diel më 24.03.2019 ka qenë një festë e vërtetë e Arsimit dhe vlerave. Mbi 1000 miq pjesëmarrës nga gjithë Kosova u bënë pjesë e gëzimit të madh të finalistëve të Eureka 6 .
Medalje për 40 të parët në garën EUREKA 6 i motivoi edhe më shumë finalistët, 40 vendet e para u shpërblyen me medalje bronzi, argjendi e ari, 250 finalistët morën certifikatë të veçantë. Të gjithë finalistët gjatë 3 javëve kanë bërë aktivitete të larmishme në Gjimnazin Hasan Nahi.