Shpallën finalistët e bursave të Çertifikimit Profesional të USAID
Prishtinë, 31 mars - Drejtori i misionit të USAID-it James Hope, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit Arsim Bajrami, kanë shpallë finalistët për grupin e 3-të të bursave të Çertifikimit Profesional në kuadër të Programit të Lidershipit Transformues - Bursat dhe Partneritetet (TLP-SP) të USAID-it.
Programit të Lidershipit Transformues - Bursat dhe Partneritetet i USAID-it mbështetë programe arsimore afatshkurtëra në SHBA, të dizajnuara për tu mundësuar profesionistëve të punësuar të fituarit e shkathtësive të avancuara nga fushat e specializimit me interes.
Me këtë rast, ministri Bajrami uroi fituesit e kësaj burse dhe theksoi se Kosova ka shumë nevojë për liderë të transformuar që do ta sjellin kulturën dhe eksperiencën amerikane te ne. Jam i sigurt se të gjithë ata të rinjë që kanë përfituar nga ky program do të ndikojnë në ndërrimin e mentalitetit dhe të qeverisjes së mirë kudo që do të jenë, theksoi ai.
Ministri tha se përveç gëzimit për përfituesit e fundit të këtij programi, kemi edhe një ndjenjë pikëllimi që projekti po përfundon. Por, ai theksoi se do të punohet edhe për projekte të tjera që të rinjve tanë tju hapen dritaret e komunikimit të rregullt me universitetet amerikane.
Ndërsa, drejtori i USAID-it për Kosovë, James Hope, theksoi se është i lumtur që ky program ka arritur të ndihmojë të rinjtë kosovarë që të studiojnë në universitete amerikane, ndërsa i porositi 26 përfituesit e fundit që të punojnë shumë dhe të kthehen si liderë për të transformuar vendin e tyre.
Programi i Lidershipit Transformues Bursat dhe Partneritetet është program i përbashkët i USAID-it dhe MAShT-it, ndërsa implementohet nga World Learning. Që nga fillimi, ky Program ka ndarë 102 bursa për programet profesionale, si dhe 185 bursa për studime master në universitete të njohura amerikane.
Programi i Lidershipit Transformues - Bursat dhe Partneritetet financohet nga USAID-i dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa implementimi i tij zhvillohet përmes partneritetit në mes të organizatës World Learning, USAID-it dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.