Shkolla Mazllum Këpuska pajiset me kabinetin e informatikës
Gjakovë, 25 janar - Sot në Shkollën Mazllum Këpuska në Gjakovë, nga Rotary District 7280 Pensylvania dhe Rotary Klub Gjakova-Çabrati, janë dhënë si donacion 28 kompjuter të ri në vlerë prej 12 mijë dollarë.
Me këtë donacion është kompletuar kabineti informatikës së shkollës. Në ceremoninë e pranim dorëzimit të këtyre kompjuterëve kanë marr pjesë Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, përfaqësues nga Rotary District 7280 të Pensylvanisë dhe Rotari Klub Gjakova-Çabrati.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, fillimisht ka falënderuar përfaqësuesit e Rotary District 7280 të Pensylvanisë dhe të klubit Rotarian Gjakova Çabrati për kontributin e tyre në projekte të ndryshme për Komunën e Gjakovës.
Për mua si kryetare e komunës, është kënaqësi e veçantë të jemi bashkë në inaugurimin e këtyre projekteve të cilat vijnë si rrjedhojë e vullnetit të mirë të njerëzve, që të shohim më të avancuar shoqërinë tonë e në veçanti gjeneratat e reja.
Kryetarja Kusari Lila ka shtuar se këto pajisje do të ndihmojnë më shumë zhvillimin e nxënësve në diapazonin e tyre duke uruar që shkolla Mazllum Këpuska të vazhdoj të shënoj suksese të mëtutjeshme ashtu siç ka vazhduar deri më tash.
Në fund, kryetarja ka theksuar që komuna do të vazhdoj edhe më tutje të përkrah shkollat me projekte të ndryshme në përmirësimin e kushteve për ngritjen e cilësisë në arsim.
Për këtë donacion ka falënderuar edhe drejtori i shkollës Arbnor Pozhegu, ku ka shpërndarë edhe disa mirënjohje kontribuuesve të këtij donacioni.
Ndërkohë, Ruzhdi Bakalli ka thënë në këtë rast se ky është donacioni i tretë nga ne që e realizojmë në institucionet arsimore në Gjakovë.
Fillimisht është ndihmuar Çerdhja e fëmijëve Ganimete Terbeshi, me pajisje teknike në vlerë prej 12 mijë$, pastaj në vitin e kaluar po ashtu janë mbështetur me një donacion tjetër nxënësit e shkollës Kelmend Rizvanolli, dhe në fillim të këtij viti, pra sot, u mbështet e shkolla fillore Mazllum Këpuska, ka thënë Bakalli duke premtuar se nuk do të ndalin aktivitetin dhe angazhimin për të ndihmuar qytetarët e Gjakovës.