13 Maj 2024

Shkolla e mesme e mjekësisë “Xheladin Deda” shënoi 68-vjetorin e punës

Mitrovicë, 18 mars - Shkolla e Mesme e Lartë “Xheladin Deda” në Mitrovicë, ka shënuar sot 68-vjetorin e themelimit të saj. Në manifestimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, morën pjesë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, me bashkëpunëtorë, djali dhe nipi i Xheladin Dedës, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, mësimdhënës, nxënës dhe qytetarë të tjerë.

Për historikun e shkollës, foli drejtori i kësaj shkolle, Gani Rama, i cili ndër të tjera tha se ndonëse shkolla ishte themeluar pas luftës së dytë botërore, vetëm në vitin shkollor 1963/64, për herë të parë në kuadër të kësaj shkolle  është hapur një paralele në gjuhën shqipe, ndërkaq vetëm  pas mbajtjes së protestave është arritur angazhimi i mësimdhënësve shqiptarë.

Duke iu referuar kohës së fundit, ai përmendi faktin se qe 25 vite kjo shkollë nuk i mbanë mësimet në objektin e saj që ndodhet në veri, si pasojë e situatës së pasluftës. Rama foli edhe për figurën e shquar të doktorit Xheladin Deda, emrin e të cilit mban kjo vatër e dijes.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri uroj mësimdhënësit dhe nxënësit për ditën e shkollës së tyre. “Jam i kënaqur që jam sot këtu në mesin e juaj, që na premtoni një të ardhme me një jetë të shëndosh. Emri i kësaj shkolle peshon shumë, sepse Kosova kishte vetëm dy emra në kohën kur ishte vështirë për të qenë mjek, e ata ishin Ali Sokoli dhe Xheladin Deda”, tha Bahtiri. Ai ju premtoj se do të bëjë çmos që nxënësit e kësaj shkolle, gjysmëvjetorin e dytë t’i vijojnë mësimet në objektin e ri që është në ndërtim e sipër.

Ndërkaq, nipi i Xheladin Dedës”, deputeti Ilir Deda, pasi falënderoj organizatorët për nderin që i kanë bërë familjes Deda, ka ndarë me të pranishmit disa segmente të biografisë dhe veprimtarisë së gjyshit të tij, duke vlerësuar se ai ka qenë një ndër mjekët më të mirë evropian.

Manifestimin e ka përshëndetur edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, Vllaznim Hoti.

Një program kulturo-artistik në interpretim të nxënësve të shkollës “Xheladin Deda”, ka përmbyllur manifestimin e organizuar për shënimin e përvjetorit të kësaj shkolle.   

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)