Shkolla e djegur në Halabak të Podujevës do të ndërtohet ketë vit

Si ministër i Arsimit kam qenë shumë i shqetësuar kur kam dëgjuar se është djegur shkolla dhe fëmijët kanë mbetur pa e vijuar mësimin. Kam ardhur tju them se ky është një shqetësim edhe i Qeverisë së Kosovës, po sidomos i MAShT, sepse këta fëmijë nuk guxojmë ti lëmë asnjë ditë pa mësim dhe duhet të punojmë që ata mësimin ta bëjnë sa më afër. Për këtë kam vendosur që kjo shkollë të ndërtohet gjatë këtij viti, tha ministri dhe theksoi se kështu do të japim një shembull pozitiv të ndërtimit të një shkolle në afat rekord.
Ministri Bajrami theksoi se deri në fund të këtij viti, në mos edhe më herët, 85 fëmijët e Halabakut, të cilët vijojnë mësimin nga klasa e parë deri në klasën e pestë, do të kenë një shkollë të re, një shkollë moderne që i plotëson nevojat e tyre.
Ministri theksoi se është bërë kërkesa në Qeveri për alokimin e mjeteve nga fondi rezervë, në mënyrë që në një periudhë sa më të shpejtë të ndërtojmë shkollën, që fëmijët e këtij fshati të gëzojnë një të drejtë elementare, sepse rruga deri te shkolla e parë është mjaft e rrezikshme dhe ka komunikacion të dendur.
Ministri Bajrami luti prindërit e këtij fshati që derisa të ndërtohet shkolla e re, të gjejnë mënyra të organizimit për të dërguar fëmijët e tyre te shkolla më e afërt, në mënyrë që ata të mos humbin ditë mësimi.