Shënohet "Dita Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare"
Prishtinë, 21 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka marrë pjesë sot në aktivitetet e organizuara për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e cila ka bashkuar fëmijë nga shkolla të ndryshme, të cilët flasin gjuhë amëtare të ndryshme, për të krijuar së bashku murin e fjalëve të quajtur Zërat e Kosovës.
Ministri Buja ka uruar nxënësit që të mësojnë dhe komunikojnë në sa më shumë gjuhë, ndërkaq ka vlerësuar se gjuha amëtare është gjuha bazë të cilën duhet ta dijë secili prej tyre.
Porosia ime është që ta mësoni mirë gjuhën e mëmës dhe pastaj gjithsesi do të keni mundësi dhe aftësi të mësoni gjuhë të tjera. Njeriu vlenë aq sa gjuhë di është një fjalë që e thonë të urtit dhe nëse është kështu atëherë përpiquni dhe mësoni gjuhët e tjetrit, sepse kjo është pasuri e juaja dhe e jona, ka thënë ministri Buja.
Ministri i Arsimit ka thënë se nisma për të shënuar këtë ditë edhe në Kosovë është nismë e bashkimit të të gjitha komuniteteve, andaj edhe ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, e cila është shembull i mirë i diversitetit dhe bashkimit, i shumëgjuhësisë dhe unitetit.
Ndërsa , drejtoresha e USAID-it, Maureen Shauket ka theksuar se, shoqërimi i nxënësve të kulturave të ndryshme me aktivitete të tilla e bën dallimin mes kulturave të ndryshme. Shauket tha se, sikur të gjithë njerëzit të kishin të njëjtën kulturë dhe të flisnin të njëjtën gjuhë, do të ishte gjë e mërzitshme.