Shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
Prishtinë, 1 qershor - Me rastin e 1 Qershorit Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për nxënësit e shkollave të artit në Kosovë, pjesëmarrës në garën për skenarin më të mirë me temën Të gjithë në shkollë.
Skenari i vlerësuar më i miri nga ana e komisionit është realizuar në film dhe ai do të transmetohet në këtë ceremoni.
Ndarjen e çmimeve do ta bëjë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.
Ndërsa, organizata joqeveritare ETEA, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve do të organizojë aktivitete të shumta në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës dhe atë të Arsimit të komunës së Prishtinës.
Ndër aktivitetet që do të organizohen, është Asambleja e Fëmijëve në Asamblenë Komunale të Prishtinës.
Në këtë aktivitet janë të ftuar nxënës të 13 shkollave fillore të kryeqytetit të cilët do të mbajnë një seancë simbolike për të drejtat e tyre. Secila shkollë ka përgatitur një ese për një çështje specifike që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve, dhe si rrjedhojë këto ese në formë fjalimesh do të lexohen nga nxënësit në foltoren e Asamblesë dhe më pastaj do të votohen. Përmbylljen e këtij aktiviteti do ta bëj kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Po ashtu, do të organizohet edhe një debat për liritë dhe të drejtat e fëmijëve, ku, përveç nxënësve dhe prindërve, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve kompetente.
Kurse, Fakulteti Juridik i AAB-së, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në kuadër të Manifestimit Tradicional Ditët e AAB së 2015, sot do të mbajë një tryezë me temën Pozita e fëmijëve në shoqëri , të drejtat e tyre dhe format e ndryshme të abuzimit.
Po ashtu, për këtë një grup nxënësish nga shtatë regjionet e vendit do të vizitojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në sallën e mbledhjeve plenare, nga një fjalë mirëseardhjeje për nxënësit do të mbajnë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe drejtoresha rajonale e UNICEF-it, Marie Pierre Poirier.
Në kuadër të kësaj vizite, nxënësit do të njihen edhe me ambiente të tjera të Kuvendit të Kosovës, njoftoi Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit.