Shënohet 7 Marsi - Dita e mësuesit
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për herë të parë do të ndajë edhe çmimin Shaban Jashari për mësimdhënësin e dalluar, çmim i cili do të jetë tradicional.
Me këtë rast, me mirënjohje për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit, do të nderohen edhe një numër i mësimdhënësve nga të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar mësuesit dhe punonjësit e arsimit të Kosovës ku sipas tij 7 Marsi na kthen kujtesën tek hapja e shkollës së parë shqipe dhe te angazhimi i pareshtur i rilindësve dhe mësuesve shqiptarë për emancipim të përgjithshëm kombëtar, kulturor dhe shkencor.
Punonjësit e arsimit në Kosovë sipas tij kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen për të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët që kontribuuan në ngritjen e sistemit të arsimit, krijimin e kuadrove profesionale në të gjitha fushat e shoqërisë, shkencës dhe kulturës.
"Qeveria do të angazhohet edhe më shumë për thellimin e reformave në edukim, duke e bërë arsimin njërën nga komponentët themelore të zhvillimit ekonomik të Kosovës së re dhe evropiane", ka thënë kryeministri Thaçi.
Qeveria e Kosovës zotohet se do të bëjë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së edukimit në Kosovë, duke e bërë të konkurrueshëm me standardet më të larta të nivelit ndërkombëtar.
Edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, uron të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Republikës së Kosovës për këtë ditë të shenjtë, që simbolizon fillimin e mësimit të shkronjave shqipe dhe hapjen e epokës së dijes për të ardhmen e ndritur dhe të sigurt.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, 7 Marsi është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, sepse me këtë datë fillon lëvizja e fuqishme e popullit tonë.
Shkolla shqipe, përveçqë ka qenë vatër e diturisë, ka qenë edhe baza e nismave të mëdha historike në rrugën e shndërrimit të Kosovës në shtet.
Mësimdhënësit kanë qenë ata që e kanë dhënë kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë e Kosovës, të cilën sot po e gëzojmë.
"Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë."
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të angazhohet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të dinjitetit dhe të interesit të tyre, thuhet në urimin e ministri Buja.
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës.
Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është ditë e atyre që bëjnë gjithçka për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, për ngritjen e njerëzve të së ardhmes së vendit tonë, e njerëzve të dinjitetshëm, që do ta ndërtojnë jetën e tyre në këto hapësira.
"Ne përulemi përjetë para veprës e sakrificës së mësimdhënësve të Kosovës, që përgjatë viteve 90-të mbajtën ndezur dritën e dijes e të shpresës në këto troje, thuhet në urimin e kryetarit Mustafa", ka theksuar Mustafa.