Shënohet 65 vjetori i maturantëve të parë të Sami Frashëri
Prishtinë, 23 qershor - Zëvendësministri Arsimi Nehat Mustafa, mori pjesë në shënimin e 65 vjetorit të gjeneratës së parë të maturantëve të mësimit në gjuhën shqipe të Gjimnazit Sami Frashëri të Prishtinës.
Me këtë rast, zv/ministri Mustafa i ka përgëzuar maturantët e parë për sukseset dhe angazhimet e tyre ndër vite për ti hapur rrugë dijes në Kosovë.
Gjimnazi Sami Frashri, padyshim është shkolla më e mirë në Kosovë dhe kjo si rrjedhojë e themeleve të shëndosha, të cilat i keni vënë ju dikur, si dhe punës së palodhshme të gjeneratave të tëra ndër vite. Nga ky institucion dolën kuadro, të cilat mbushën boshllëkun profesional në fusha të ndryshme në gjithë Kosovën. Emrat e gjeneratës së parë të Sami Frashërti do të duhej të skaliten në një kënd të këtij institucioni të shkëlqyer, dhe kështu të kujtohen përherë si pishtarë të dijes në Kosovë, tha z. Mustafa.
Në vazhdim, zv/ministri Mustafa foli edhe për zhvillimet aktuale në fushën e arsimit në Kosovë, ndërsa përmendi se sot në Kosovë ka rreth 46 mijë maturantë, e vetëm në Gjimnazin Sami Frashëri ka rreth 1 mijë maturantë, fakt që flet për zhvillimet kolosale në fushën e arsimit dhe edukimit në Kosovë .
Në fund, në emër të ministrit Buja, z. Mustafa iu dhuroi maturantëve të parë nga një dhuratë modeste në shenjë respekti e mirënjohjeje për punën e tyre të vyer ndër vite.
Ndërsa, ish maturantët rrëfyen fragmente nga rrethanat dhe kushtet në të cilat zhvillohej mësimi dikur. Ata thanë se fillimisht kanë punuar si mësimdhënës për shkaqe të nevojave të vendit, ndërsa më vonë kanë vazhduar studimet.
Ndryshe, gjenerata e maturantëve të parë e Gjimnazit Sami Frashëri të Prishtinës, numëronte 23 nxënës, që vinin nga pothuaj të gjitha viset e Kosovës dhe Presheva, ndërsa sot janë gjallë vetëm 6 prej tyre.