Shënohet 6-vjetori i themelimit të Universitetit Ukshin Hoti

Prishtinë, 13 tetor - Me një ceremoni solemne të hënën është shënuar 6-vjetori i themelimit të Universitetit Ukshin Hoti në Prizren.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe Prof. Dr. Arsim Bajrami, ministër i MASHT, rektorët e universiteteve publike në vend, kryetari i Prizrenit, Prof. Dr. Ramadan Muja, përfaqësuesit e universiteteve partnere nga rajoni, deputë, përfaqësues të FSK-së, të Policisë së Kosovës, të institucioneve të tjera relevante dhe shumë mysafir të tjerë.
Rektori i Universitetit Ukshin Hoti në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj ka folur për zhvillimin e UPZ-së që nga themelimi dhe angazhimin e menaxhmentit për avancim të mëtejshëm të këtij universiteti.
Që nga themelimi në universitet është punuar intensivisht edhe në përforcimin e programeve ekzistuese, rritjen e kritereve për angazhim të mësimdhënësve që të kemi një staf akademik sa më të përgatitur dhe krijimin e kushteve të favorshme për studentë dhe në këtë funksion kemi krijuar edhe infrastrukturë moderne.
Të gjitha këto i kontribuojnë ngritjes së cilësisë, që është qëllimi kryesor në punën tonë të përditshme.
Rektori Vataj theksoi po ashtu se gjatë këtyre viteve të funksionimit është punuar intensivisht edhe për afirmimin ndërkombëtar të Universitetit Ukshin Hoti në Prizren.
Në këtë kuadër janë lidhur me dhjetëra marrëveshje me universitete prestigjioze me qëllim mobilitetin e personelit të universitetit dhe studentëve dhe marrjen e përvojave më të mira për UPZ-në.
Rektori Vataj shtoi se aktualisht Komisione janë duke punuar intensivisht për hapjen e drejtimeve të reja komfor nevojave dhe kërkesave të tregut të punës dhe trendëve ndërkombëtare në arsimin e lartë.
Rektori Vataj i falënderoj për punën e mirë që kanë bërë menaxhementet e kaluara që nga themelimit, mësimdhënësit, stafin akademik e administrativ dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për zhvillimin e këtij Universiteti.
Tani na mbetet që të punojmë pa rreshtuar që të zhvillojmë këtë universitet që të krenohemi të gjithë me të, theksoi Rektor Vataj.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami rast ka theksuar se këto gjashtë vite të suksesshme të UPz-së tregojnë se sa ka qenë i drejtë vendimi i Qeverisë së Kosovës për Themelimin e këtij universiteti.
Ky universitet është vatër e rëndësishme e edukimit dhe përgatitjes së kuadrove, jo vetëm për Komunën e Prizrenit dhe komunat për rreth, por për gjithë Kosovën. Ky universitet e ka luajtuar dhe do ta luaj rolin e integrimit kombëtarë, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se, Universiteti i Prizrenit promovon mësimdhënien e shekullit 21, me mësimdhënës të përkushtuar, studentë proaktiv dhe zhvillim të veprimtarisë hulumtuese shkencore.
Dëshirojmë që ky universitet të jetë promotor i stabilitetit, i rendit akademik dhe hulumtimit shkencor sepse jam i sigurt që kemi gjenerata jashtëzakonisht inteligjente. Nuk mund të paramendohet një universitet i suksesshëm pa studentë aktiv, kritikë dhe kërkues, studentë të cilët i qojnë proceset përpara, tha ministri Bajrami.
Ndërsa, në ceremoninë e shënimit të 6- të vjetorit të UPz-së një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Prof. Dr. Ramadan Muja, i cili theksoi se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit Ukshin Hoti ka qenë mjaft i qëlluar.