Shënohet 50 vjetori i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë
Gjakovë, 31 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në ceremoninë e kremtimit të 50 vjetorit të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 5 vjetorin e themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Ministri Bytyqi me këtë rast tha se, Shkolla e Lartë Pedagogjike, ishte institucion për ngritjen e të cilit u sakrifikuan shumë pedagogë dhe intelektualë të kohës, vetëm për të hapur shtigjet e diturisë.
“Rinia kishte nevojë për arsimim, vendi kishte nevojë për patriotizëm. Ishte një detyrë e shenjtë që të realizojmë synimet tona për shtetndërtim, por arsimimi vazhdon të jetë gjithmonë i shenjtë. Sot në këtë kohë moderne, kur kemi realizuar synimin tonë për shtet, përsëri arsimi dhe edukimi i të rinjve mbetet i shenjtë. Duhet të angazhohemi që të krijojmë breza intelektualësh të cilët do të forcojnë rriten dhe zhvillimin e shtetit tonë”, theksoi ministri Bytyqi.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se, Ministria e Arsimit, në kontekst të ngritjes së cilësisë po vazhdon me reforma nga niveli parashkollor deri te niveli universitar, sepse dëshirojmë që të kemi një rini të përgatitur për tregun e brendshëm të punës dhe tregun evropian.
Duke folur për traditën Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 5 vjetorin e Universitetit “Fehmi Agani”, ministri Bytyqi tha se, Gjakova është vend i traditës së shkollimit, vend nga i cili kanë dalë intelektualë të shquar si, Ali Hadri e Fehmi Agani, ndërkaq uroi që ky institucion të vazhdojë me nivele të tilla të përgatitjes së kuadrove.
Në fund, ministri ka uruar 220 studentët e diplomuar të këtij Universiteti, si dhe 60 studentët përfitues të bursave. Ndryshe, SHLP ishte institucioni i parë në Kosovë ku u zhvillua mësimi në gjuhën shqipe dhe ku vijuan studimet të rinjë nga të gjitha trevat shqiptare. Sot ky institucion ka 3300 studentë.