Shënohet 50 vjetori i Institutit të Historisë
Prishtinë, 15 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Enver Hoxhaj, morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 50 vjetorit të themelimit të Institutit të Historisë.
Ministri Bajrami, me këtë rast, ka përgëzuar Institutin e Historisë për punën e palodhshme për 5 dekada me radhë, njëherit theksoi se nuk ka rrugë më të mirë në shënimin e përvjetorit të punës së këtij Instituti se sa përmes një konference të nivelit të lartë.
Duke folur për rëndësinë e themelimit të këtij Instituti këtu e 50 vite më parë, ministri Bajrami ndër tjera tha: Padyshim që themelimi i Institutit të Historisë ka qenë një moment kthese në emancipimin politik, kulturor, shkencor dhe në rreshtimin në rrugën e vështirë të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës dhe të shprehim respekt, në radhë të parë për themeluesit që sjanë më në mesin tonë, por jetojnë me ne, veçanërisht themeluesin akadamik Ali Hadri.
Më tutje, ministri Bajrami shtoi se 5 dekada pune, janë dekada të krenarisë së Institutit dhe një kohë reflektimi për rolin që duhet ta ketë ky Institut sot. Duke qenë të vetdijshëm që po e përmbyllim epokën e lirisë dhe pavarësisë ne, duhet ta mbështesim këtë Institut që ti përgjigjet nevojave të kohës, të realizojë me sukses projektin që e kemi nisur.
Ministri Bajrami tha se, Ministria e Arsimit ka mbështetur dhe do ta mbështesë Institutin e Historisë në aktivitetet dhe punën shkencore. Tashmë ka ardhur koha që ta shkruajmë historinë reale të Kosovës, e cila do të përshkruajë rrugëtimin dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës, që ka luftuar për kauzën kombëtare, tha ministri Bajrami.