Shënohet 20-vjetori i pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë
Prishtinë, 18 janar Me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2011-2012, ministri i Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka mbajtur takimin e radhës me drejtorët komunalë të Arsimit , me çrast u diskutua për përgatitjet e bëra, për Kurrikulën e Arsimit Parauniversitar të Kosovës për sfidat dhe çështje tjera me interes.
Ministri i Arsimit, z.Ramë Buja, ka përgëzuar përgjegjësit komunalë të Arsimit për punën e tyre të përkushtuar, duke shtuar se ky vit është i veçantë edhe për faktin se shënohet 100 vjetori i ngritje së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Bashkëpunimi ynë reciprok funksional, në vijën vertikale të institucioneve dhe puna e juaj e angazhuar në mbarëvajtjen e proceseve arsimore gjithsesi do të sjellë rezultatet e duhura. Ne kemi shumë sfida para vetes por së bashku do tia dalim që të kemi një arsim gjithnjë e më cilësor në vendin tonë, tha ministri Buja . Duke uruar për fillimin e gjysëmvjetorit të dytë, ministri Buja përkujtoi hartimin e dokumenteve strategjike e zhvillimore të arsimit dhe infrastrukturën ligjore, të cilat siç tha ministri, na ndihmojë të ecim në drejtimin e duhur.
Të pranishmit u njoftuan edhe për hartimin e Kornizës së Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar, e cila do të pilotohet në dy vitet e ardhshme për të parë se sa është efektiv dhe i zbatueshëm ky dokument i rëndësishëm i arsimit.
Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, i njoftoi drejtorët komunalë të Arsimit për shënimin e 20 vjetorit të pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë , për çka do të mbahet një akademi solemne ditën e premte 20 janar 2012, e cila përkon me 20 vjetorin e fillimit të pavarësimit të shkollës shqipe nga Serbia , fillimin e mbajtjes së mësimit në shtëpi vullnetare.
Z Mustafa tha se MAShT do të ftojë një numër simbolik të kryefamiljarëve ( rreth 100), nga të gjitha komunat e Kosovës pasi që llogaritet se janë rreth 3000 sish të cilët edhe do të shpërblehen me mirënjohje. Zëvendësministri Mustafa po ashtu i porositi drejtorët komunalë të arsimit që një organizim i tillë të bëhet edhe në nivel komunash për të shprehur kështu solidaritetin dhe mirënjohjen e institucioneve të vendit për kontributin e çmuar të secilit kryefamiljar të Shtëpive Shkolla të dhënë në ato kohë të vështira.
Përgjegjësit komunalë të Arsimit biseduan edhe për çështje tjera praktike që e karakterizojnë procesin e arsimit në Kosovë.