SHBA, kostot e larta të arsimit po dëmtojnë studentët
Prishtinë, 1 korrik - Republikanët dhe demokratët në Washington po debatojnë lidhur me financiamin e arsimit të lartë, përfshirë edhe hollësitë si shkallët e interesit për huatë që marrin studentët.
Të diplomuarit e kohëve të fundit, që cilët janë të zhytur në borxhe mesatare prej rreth 26 mijë dollarësh, po e ndjekin nga afër këtë debat.
Por disa ekonomistë thonë se çështja thelbësore është kontrolli i kostos në rritje të studimeve universitare në një kohë kur arsimi i lartë është shumë i rëndësishëm për të gjetur një punë me pagesë të mesme.
Ekspertët thonë se këto kosto të larta të arsimit po dëmtojnë jo vetëm studentët dhe familjet e tyre, por edhe ekonominë në tërësi.
Joshua Jordan mori doktoraturën në terapi fizike dhe shpreson të hapë një ditë biznesin e tij. Ai thotë se marrja e kësaj doktorature të shtrenjtë është një gjë pozitive për pacientët, por negative për kuletën e tij.
Aktualisht kam borxh 210 mijë dollarë.
Borxhet e Jordanit janë 8 herë më të larta se sa mesatarja e huave të studentëve. Ai thotë se mund ti duhen 20 vjet që ti shlyejë këto borxhe dhe herë herë ka bërë dy punë që të përmbushë të gjitha detyrimet financiare.
Gjatë 30 vjetëve të fundit, kostoja e arsimit të lartë është rritur dy herë më shumë se sa inflacioni, ndërkohë që kostoja mesatare për studimet e larta në një kolegj privat i ka kaluar 30 mijë dollarët në vit.
Universitetet thonë se kjo shkaktohet nga numri rekord i aplikimeve, nga një forcë pune profesorësh me kualifikime të larta, që mund të gjejnë punë kudo, nëse nuk paguhen mirë, dhe rënia e mbështetjes financiare nga qeveritë e shteteve.
Terry Hartle flet në emër të Këshillit Amerikan mbi Arsimin, i cili përfaqëson mijëra kolegje dhe universitete në mbarë Shtetet e Bashkuara.
\"Ky është një problem i vështirë. Ne duam më shumë njerëz me arsim të lartë dhe duam të përqëndrohemi në qualifikimet akademike dhe diplomimin. Në të njëjtën kohë, financimi i burimeve për arsimin e lartë ka pësuar rënie për një brez të tërë\".
Ndërsa këta studentë arritën të diplomohen, ekspertët shqetësohen se kostoja e lartë e kolegjit e bën më pak të mundur për studentë të shkëlqyer nga familje të varfëra që të vazhdojnë studimet e larta, duke i privuar kështu ekonomisë disa prej shkencëtarëve, ekonomistëve dhe profesioneve të tjera, që mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Madje një anketim tregon se disa studentë, të shqetësuar rreth pagimit të borxheve universitare prej mijëra dollarësh, po shtyjnë për më vonë martesën dhe krijimin e familjes si dhe blerje të artikujve të mëdhenj që shoqërohen me krijimin e familjes.
\"Këta studentë nuk do të kontribuojnë në ekonomi. Ata do të kthehen tek prindërit dhe do të banojnë me ta. Ata nuk do të blejnë një makinë, nuk do të investojnë në blerjen e shtëpisë së tyre, pra bëhet fjalë për një ndikim të shumëfishtë\", thotë Peter Mazareas me Fondacionin e Kursimeve për Kolegj.
Ekonomisti në Universitetin Georgetown, Anthony Carnevale thotë se sistemi i tanishëm nuk mbështet krijimin e familjes, madje ul zhvillimin ekonomik për gjithë ekonominë.
\"Ndikimet mbi zhvillimin ekonomik si pasojë e mungesës së talenteve pas shkollës së mesme janë të mëdha. Nëse do të kishim përmbushur kërkesat me talente pas shkollës së mesme, ekonomistët përllogarisin se kjo do të bënte që popullata do të kishte rreth 500 miliardë dollarë më shumë në vit për të shpenzuar, që do të shoqërohej me një shkallë më të lartë prodhimi\".
Ndërkohë, Jordan thotë se familja e tij nuk është e pasur dhe nuk mund të kishte paguar për arsimin e tij të lartë deri sa mori doktoraturën.
Unë nuk kisha mundësi tjetër që të krijojë një karierë për vete pa marrë borxhe për të vazhduar studimet e larta.
Pra për Jordan-in, marrja e borxhit për studimet e larta është diçka me vlerë.