SBASHK-u vizitoi shkollat e Kamenicës që Kastrati tentoi t’i mbyllte
Prishtinë, 4 shtator - Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i shoqëruar nga menaxheri për financa dhe administratë si dhe këshilltar për organizim të mbrendshëm, Ymer Ymeri si dhe asistentja në SBASHK Vlora Rexhepi Berisha, që nga mëngjesi janë gjendur në mes kolegëve, prindërve dhe nxënësve të shkollave: ,,Hasan Prishtina” në Busovatës, shkollën ''Nuhi Berisha” Tuxhevcit dhe atë ,,Idriz Seferi “ të fashatit Strezovcit dhe '7 Shtatori “ të Krilevës, shkolla këto që kishte tentuar ti mbyllë kryetari i Kamenicës Qendron Kastrati.
Në të gjitha këto takime mësimdhënësit, prindërit dhe nxënesit i janë falënderuar SBASHK-ut për mbështetjen dhe duke kërkuar angazhim edhe në të ardhmen, ata janë zotuar se me unitetin të shkëlqyer në mes të prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve, do ti mbajnë të hapura këto vatra arsimore.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga afër panë se nuk janë këto shkolla me një e dy nxënës, siç ka deklaruar z.Kastrati, po me numër shumë më të madhë dhe është e pamundur që ata të udhëtojnë me dhjetëra kilometra drejt qendrës komunale, e aq më tepër, kur këto shkolla janë në pjesë malore dhe udhëtimi do të ishte tepër i pamundur për moshën e tyre, në një gjatësi aq të madhe dhe në kushte të rënda klimatike.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë dëgjuar me vëmendje gjithë brengat dhe shqetësimet e arsyeshme të prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve dhe kanë garantuar se do t’ju qëndrojnë pranë njerëzve këtu me të gjitha mundësitë që kanë.
Mësimdhënësit dhe prindërit e të katër shkollave të përmendura, janë zotuar se nxënësit gjegjësisht fëmijët e tyre do ta vazhdojnë mësimin në këto shkolla.
Prindërit kanë deklaruar se me të gjitha mundësitë do të ruajnë vatrat e tyre arsimore dhe do të vazhdojnë përpjekjet që në takime me kryetarin Kastrati dhe zyrtar të tjerë të krijojnë kushte të volitshme për punë, ata kishin qëndrim kategorik që fëmijët nuk do ti dërgojnë diku tjetër, e aq më pak në komunën që është dhjetëra kilometra largë prej tyre.
SBASHK-u publikisht i drejtohet kryetarit Kastrati dhe Drejtoreshës së Arsimit të Kamenicës, që të shpërndajnë mjete shkollor dhe ditarë e mjete të tjera administrative edhe në këto shkolla, sepse tekstet shkollore janë botuar nga mjetet e buxhetit të Kosovës, për të cilat kanë kontribuar edhe banorët e Tuxhec, Strezovoc, Krijlevës, Busovatë.